Rama lë takim me vetveten

Dëshpërimi politik e detyron kryesocialistin të nisë një dialog me vetveten, pasi në bazën socialiste s’e pret askush. Strukturat janë josfunksionale dhe të angazhuara në një konflikt civil që s’i dihet fundi. Shpallja e njëanshme e sloganit “Bashkimi i ri për ndryshim” paralajmëron lënien pas dere të aleatëve dhe nisjen e rrugëtimit, sipas formulës “të fitojmë ç’të fitojmë, por gjithçka do ta kemi vetëm për vete”
Kreu i PS lajmëroi dje nisjen e turit të ‘dëgjesave’ me veten 10 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Duke e perifrazuar “dialogun” si mundësi për të qenë pranë shqetësimeve të elektoratit, Rama harron se në bazën socialiste gjithçka është në anormalitet, mungon efikasiteti i strukturave drejtuese për shkak të konfliktit civil që ka lindur si në degët e PS ashtu edhe ato të FRESSH-it, sikurse s’mund të flitet për mobilizim politik të votuesve socialistë sa kohë lidershipi i tyre është i angazhuar tërësisht në linjën e bllokimit të reformave të vendit. Gjithsesi, hallet dhe shqetësimet e selisë rozë janë në rritje e sipër. Ethet zgjedhore ndjehen në kupolën drejtuese të ngrehinës socialiste dhe më të rrezikuarit, ata që bllokuan imunitetin në seancën e 6 gushtit, janë kapur nga dhimbjet e kokës nga tmerri dhe paniku se si do justifikohen para qytetarëve gjatë “gjykimit elektoral” pas 10 muajsh. Nxitimi për të shpallur “dialogun me qytetarët” si rrugëtimin final drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme, në një kohë kur këtë formulë dhe alternativë veprimi e ka konsumuar 4 vjet më parë, rezultati i së cilës ishte humbja e zgjedhjeve të 2009-ës, tregon mungesën e qetësisë që dominon si re e zezë tymi, jo vetëm në selinë e PS, por në të gjithë ambientin rrethues të kryesocialistit, deri te rrjeti i tij i biznesmenëve të grupit parlamentar. Rama e sheh “dialogun me qytetarët” si ogur shprese apo qoftë edhe sa për konjukturë, kjo me synimin për të thërritur nëpër mediat zhurmuese pranë kampit opozitar, për triumfe dhe fitore, atëherë kur shqetësimi i vërtetë i qytetarëve nuk janë ambiciet politike të kryesocialistit, por punësimi, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia tregues këto që vihen në jetë nga zbatimi i politikave sociale. Roli bllokues i opozitës, pengimi i qeverisë në implementimin e reformave ekonomike dhe sociale, bllokimi i reformës në drejtësi dhe sulmet e vazhdueshme ndaj institucioneve shtetërore, janë dëshmi e qartë se kjo opozitë s’do gjejë shpëtim as nga “dialogu”, të cilin Rama në rastin më të keq do ta shndërrojë në kalë beteje për të sulmuar institucionet, investitorët dhe biznesin e huaj. Rama flet për shumëfishimin e fuqisë së komunikimit, atëherë kur ai është armiku i bashkëbisedimit. Gjuha e tij e vetme është ajo e dhunës dhe vulgaritetit. 7 vitet e tij në krye të PS kanë mjaftuar për ta etiketuar Edi Ramën si të papërshtatshëm politikisht, përsa kohë ka humbur çdo betejë elektorale ku ka hyrë si protagonist dhe ka dalë i humburi i madh. Krahas “dialogut me veten”, kryesocialisti është në prag të zyrtarizimit të sloganit elektoral, i cili më së shumti është një indice se PS është një dhe e vetme, pa partitë aleate. “Bashkimi i ri për ndryshim”, është një përpjekje për të distancuar Partinë Socialiste nga aleatët e saj 10 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Edi Rama në vazhdimësi ka mbajtur një qëndrim refraktar dhe abuzues ndaj partive të vogla, ndërsa synimi i tij i vetëm ka qenë luftimi dhe zhdukja e tyre nga skena politike, por siç duket ky do jetë dhe rasti i fundit që flitet për binomin PS-Aleatë, për faktin e vetëm se, mos njëra, tjetra do i takojë të shkuarës pas zgjedhjeve të 2013-ës.