Fatos Nano si vokal i Guns NRoses
Në sytë e socialistëve të djeshëm e të sotëm, është absolutisht i justifikueshëm një Fatos Nano i viteve 90, i dënuar në mënyrë të sproporcionuar për krimin e bashkëpunimit me Levante & Co.; i dënuar nën rreshta për krimet e komunizmit që iu atribuan falas, edhe pse ai nuk i kishte kryer; apo i dënuar si njeriu eventualisht i rrezikshëm i një të ardhmeje që ende duhej të realizohej. Është po aq i justifikueshëm një Fatos Nano i vitit 97, që nuk ia doli në një vit të vetëm të ngrinte në këmbë një shtet, të aftë për të qëndruar mbi këmbët e veta, ndërkohë që një Berishë (ata thonë jo i njëjti) godiste me antitank kryeministrinë, një vit nga lufta civile që ai dhe të vetët realizoi me sukses, meqenëse një kryeministri që sqe e vetja, mund të sheshohej pa mëdyshje.
Asnjë i vrarë nuk u regjistrua në oborrin kryeministror të Nanos, në (atë që ata e quajnë) kohën e tij. Fatos Nano i viteve 2000, u vu në krye të listës së të padëshiruarve, meqenëse për shumëkënd ai e të tijët po e tepronin me përfitime falë pushtetit. Legjenda e njeriut që nuk vret por toleron, e toleroi edhe atë historikisht. I justifikueshëm në masën që mund të justifikohet. Fatos Nano në vakancë nga pushteti e politika që prej 2005, në kohën kur pushtetin e mori Berisha (ata thonë jo i njëjti), e që i rikthehet Shqipërisë dy vjet më pas në kuadrin e zgjedhjes së Presidentit të ri, është ende i justifikueshëm. I justifikueshëm për hir të bibliotekës së lagjes e të librit 2 vjet pushime, si kapiteni që i kthehet anijes socialiste, që braktisi kur asaj i duhej një kapiten më shumë se kurrë.
Ndërkohë që Fatos Nano i vitit 2012, që shfaqet si fantazëm prej profecish Maja, nuk vjen për hir të kontributit në parti. Ai afrohet në publik me pretendimin se është i lezetshëm si tip, me batutë e që pi alkool si aktor Hangover-i. Si një rockstar i munguar, si këngëtari kapricioz i Guns N Roses, ai premton se do të japë shfaqje, por dhe se mund të tërhiqet papritur pa pyetur për publikun. Nuk ka rimbursim për biletat, por ngjarja nuk fillon dhe mbaron këtu.
Fatos Nano vjen për të kujtuar fitoret e tij. Nuk merr në konsideratë tre herët që kandidoi për President. Ashtu siç nuk merr në konsideratë faktin se nuk ka kandiduar për President në realitet. Nano që llogarit kaq keq numrat nuk do të ishte serioz në kalkulimin e tij. Nano e di që votat e Ramës nuk i ka; edhe nëse nuk e di, i mjafton një sms për ta konfirmuar. Nano e di se Berisha (ata thonë jo ai i njëjti) nuk do të votonte në tym një kundërshtar që mund të ndryshojë ekuilibrat. Berisha e di, dhe Nano e di që ai e di, se kthimi i Nanos e vë Berishën në rolin e një koordinatori mediatik në përplasjen e të majtës. Berisha fitoi në të vetmen herë që ka fituar pikërisht nga kjo përplasje. Nano fitoi duke shitur humbjen e tij atij që ofron më shumë, kryetarit të Qeverisë.
Nano nuk e zgjodhi asnjëherë të vetme rrugën e vështirë, atë të kontributit për partinë që e do në nivele mazokiste. Për arsye të mirëfillta hedonizimi ai zgjedh rregullisht pazarin modest me kundërshtarin. Me sa duket vetëm kjo mënyrë arrin ti rrisë autostimën dhe ti ulë kompleksin që ka se mund të përfundojë një ditë si ish komunistët pensionistë, të ngurtë dhe idealistë deri në krim. Shumica e tyre në CV-të vrasëse regjistrojnë veçse shkulje antenash, gjë që të bën njësoj qesharak në një botë që jeton vetëm duke parë emisione televizive me shije të dyshimtë.
Nano sigurisht nuk është si ata. Të vetmen herë që rezistoi u burgos për vite me radhë, jo nga një pensionist dhe jo për shkak të ndonjë antene. Nano nuk gabon dy herë njëlloj, i thoshte dikur Berishës (ata thonë…).
Nano e di se nuk u kthye për të fituar. Kërcënimet e tij janë pjesë e një pakete që do ta legjitimojë atë që të kthehet si kandidat për President edhe në vitin 2017, ku në çmim do të jenë përfshirë edhe pushimet diku në një vend ku nuk e njohin. Partia socialiste megjithëse nuk e ka patur në anën e saj në 7 vitet e fundit, beson se koha e tij prej çapkëni do të mbarojë. Në fundin e andropauzës, ai i penduar do të ndihmojë për të luftuar Berishën, të cilin përtej legjendës, nuk e ka mundur kurrë. Partia socialiste ka patur rregullisht më shumë vota që në vitin 93, vit kur mbaroi përralla me çeqe të bardha dhe ndihma pa fund nga PD-ja. Që nga ajo kohë kushdo që ka fituar ka qenë një anëtar në një parti të madhe, dhe një vëzhgues në fitore kundër Berishës.
Nano përveç kësaj ishte superstari në trupin e një politikani. Si të thuash një Çiljetë me siluetën e Berishës.
