E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturat, OSSH pranon gabimin dhe kompensimin

Procesi

OSSH-ja deklaroi dje përmes drejtorit Jozef Hejsek se pranon gabimet e bëra me faturimin e muajit janar dhe premton se do të kryhen të gjitha kompensimet për rastet e verifikuara me abuzim. Vlera e shtuar mbi faturat do t’u zbritet konsumatorëve në faturat e muajit mars ose prill, tha Hejsek, drejtori i përgjithshëm i OSSH-së. “Kemi filluar kontrollet për të zbuluar rastet e abuzimit gjate faturimit, nga kontrollet e deritanishme që kemi bërë për vitin 2009 kemi zbuluar disa raste shkeljesh gjate faturimit që shkojnë në 105 milionë lekë. Të gjitha këto raste do vërtetohen një për një dhe shuma e mbifaturuar do t’u zbritet konsumatorëve në faturat e muajit mars ose prill. Gjithashtu do të rishikojmë faturat e janarit dhe ditët e muajit dhjetor do rillogariten me çmimet e dhjetorit dhe jo me ato të rritura, edhe këto para do t’u kompensohen konsumatorëve në mars ose prill”, u shpreh Hejsek. Megjithatë, sipas CEZ-it nuk është vetëm faturimi abuziv shkaktari i vlerave të konsiderueshme të faturave për muajt e parë të këtij viti. “Konsumi i energjisë elektrike është rritur në këto 3-4 muaj me rreth 30%. Në Shqipëri format e tjera të energjisë që përdoren për ngrohje apo gatim janë shumë pak të përdorshme, pra këto fatura kaq të shtrenjta nuk janë pasojë vetëm e faturimit abuziv apo rritjes së çmimit”, theksuan drejtues të CEZ-it. Nga kontrollet e deritanishme të OSSH-së janë zbuluar edhe 5300 raste vjedhjesh të energjisë nga konsumatorët, në një vlerë prej 235 milionë lekësh. CEZ-i deklaroi se në Shqipëri aplikohet një sistem i keq faturimi që fillon nga problemet me pajisjet matëse të energjisë e deri të punonjësit që bëjnë faturimin.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›