E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Si e shmanga kolapsin ekonomik

Guvernatori: Kriza, qeveria u paralajmërua. Mësimet nga Greqia. OK amnistisë

Ndër të rrallat intervista, guvernatori Ardian Fullani pranon se vendi shmangu një kolaps ekonomik falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë përmes likuiditeteve të shumta. I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, guvernatori foli gjerë e gjatë për situatën ekonomike në vend, ditët e vështira të fundvitit 2008 dhe fillimit të 2009-s, duke shpjeguar me fakte se pse Shqipëria nuk është në krizë, por e prekur, ndërsa rikthimi në stabilitetin ekonomik do të kërkojë ende kohë. Kreu i BSH-së përsëriti disa herë faktin se e kishte paralajmëruar qeverinë për efektet që do të jepte në ekonomi kriza globale që në tetor 2008, ndërsa tha me garanci se “deri tani, çfarë ka ndodhur me rritjen ekonomike, është parashikuar dhe vërtetuar nga Banka e Shqipërisë”.

Kriza, efektet dhe paralajmërimi

Si fillim guvernatori shpjegoi konceptin krizë, e cila nuk vjen si “rrufe në qiell të hapur”, por e shkaktuar nga disa pasoja zinxhir. “Duhet thënë se Shqipëria është afektuar nga kriza globale. Por Shqipëria nuk ka qenë në krizë as në 2008-n, 2009 apo në 2010-n. Ajo që po përballojmë ne sot është kriza e ekonomisë reale. Bota u përball me një krizë të vërtetë financiare, të paparë ndonjëherë që nga vitet ‘30. Kjo është një krizë e një tipi të veçantë dhe përfshin të gjitha ekonomitë globale. Kështu që Shqipëria nuk ishte gjeneruese e saj, por u infektua, për shkak të disa faktorëve, që u kam thënë herë të tjera”, tha Fullani, duke e lidhur me faktin se meqë vendi ynë importon mallra e shërbime, me këtë rast, ka importuar edhe krizën. Më tej, guvernatori përmendi efektet e krizës në ekonomi, të cilat janë parashikuar që në 2008-n. “E kam deklaruar më parë, që kriza do të jepte efekte në të ardhurat e përgjithshme në ekonomi, përfshi edhe remitancat e emigrantëve. Do të kishte ndikim te kreditimi, te tkurrja e ekonomisë, tregtisë etj., të gjitha këto tashmë të faktuara. Natyrisht që intensiteti i krizës nuk mund të parashikohet, por Banka deklaroi se kohëzgjatja e krizës nuk do të ishte e shkurtër”, u shpreh kreu i BSH-së. Fullani dha arsyet e infektimit nga kriza, duke e lidhur me stadin e zhvillimit të vendit. “Shqipëria nuk është një fshat i humbur, por një vend i integruar në tregjet financiare. Kemi banka të fuqishme, sistem pagesash modern dhe një liberalizim të llogarisë korrente. Kujtojmë raportin e FMN-së për 2008-n, sipas të cilës Shqipëria është një vend që po kalon nga tranzicioni në një ekonomi në zhvillim. Pra, kjo është pikëpamja që duhet të kemi për krizën ekonomike”, theksoi guvernatori, që gjithsesi nuk mohon faktin se u konstatuan rënie të të hyrave në përgjithësi, rënie të importeve, nënvlerësim të kursit të këmbimit, tërheqje të depozitave dhe kontraktim të kreditimit (jo stopim), të cilat ndikuan në rritjen ekonomike, nga 6 në 3%.

Borxhi dhe kolapsi

Niveli i borxhit të qeverisë dhe roli i Bankës së Shqipërisë ishte një ndër temat kryesore të diskutuara dje në emisionin “Top Story”. Pasi shpjegoi zhvlerësimin e lekut, duke e lidhur ngushtë me ofertë-kërkesën në treg dhe nivelin e lartë të importeve, Fullani theksoi se qëllimi kryesor i BSH-së është ruajtja e inflacionit dhe jo kursi i këmbimit. Sa i takon nivelit të borxhit dhe buxhetit të shtetit, kreu i BSH-së pranoi se janë dhënë likuiditete pa kufij, në të kundërtën do të kishim pasoja të rënda.

“Si të gjitha bankat qendrore në botë, edhe ne kemi dhënë likuiditet pa kufij. E rëndësishme është garancia e rezervës. Nëse nuk përdoret, humb qëllimin e saj. I gjithë likuiditeti i është dhënë tregut dhe qeverisë. Nëse nuk do të kishim dhënë likuiditet, ekonomia do të ishte në kolaps. Të mos harrojmë tërheqjen e depozitave, duke lënë bankat në vështirësi, të cilat pa likuiditet nuk mund të bënin asgjë. Për këtë arsye dhamë para”, tha Fullani, i cili me këtë rast përgënjeshtroi zërat se gjoja BSH ka qenë në presion të qeverisë për të “printuar para”.

Amnistia fiskale dhe bankat

“Amnistia fiskale, në kuadrin e formalizimit të ekonomisë, gjeneron një rikapitalizim të vendit dhe sjell depozita. E rëndësishme është filozofia dhe strategjia e zbatimit në kuadrin e një kujdesi fiskal. Ka një ligj që duhet zbatuar dhe menaxhuar me mjaft kujdes”, deklaroi dje Fullani. Pra, Banka e Shqipërisë mirëpret iniciativa të tjera, në funksion të formalizimit të ekonomisë dhe zbatimit të ligjit fiskal. Duke folur për bankat te ne, guvernatori i cilësoi likuide dhe fitimprurëse, ndërsa sa i takon kreditimit, i cili është frenuar, Fullani tha se “Kreditimi ka problemin e kërkesës dhe ofertës. Ndërhyrja e BSH i rikapitalizoi bankat. Të mos harrojmë largimin e depozitave. Pra, tani bankat nuk kanë më arsye objektive për të mos dhënë kredi. Tani problem ka kërkesa. Shumë biznese kanë probleme. Për të realizuar një kreditim më të mirë (që mendoj se do të ndodhë në pjesën e dytë të vitit), mendoj se bankat dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë”.

Kriza greke dhe mësimet

Kriza greke lidhet ngushtë me sistemin bankar te ne, pasi operojnë disa banka. Për guvernatorin, asgjë nuk ka për t’u shqetësuar, pasi sistemi është i vrojtuar dhe monitoruar me kujdes. Sa i takon transferimit të fitimeve nga bankat dhe bizneset greke, kreu i BSH-së tha hapur se ekonomia globale lejon të tilla transaksione, për aq kohë sa flitet për liberalizim. “Ajo çfarë nxjerrim një mësim nga kriza greke është në radhë të parë se, kriza greke është krizë e financave, në radhë të dytë është një krizë e subvencioneve të dhënë vite me radhë, po ashtu është një krizë e statistikave. Kështu që do ishte një mësim i mirë për ne të kuptonim rëndësinë e stabilitetit makroekonomik. Pra nuk duhet luajtur me shifrat. Duhet marrë mësim me rastin e Greqisë”, tha guvernatori.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›