E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Kreu i KQZ të vijë nga avokatët, gjykatat e shoqëria civile

Komisioni për Reformën Zgjedhore

Zbardhen amendamentet e PS. Tërhiqet kërkesa për numërim elektronik, por jo hapja e kutive.

PS: Si të zgjidhet kryetari i KQZ.

Nga Avokati i Popullit, Gjykata e Lartë e shoqëria civile

Partia Socialiste depoziton në Komisionin e Reformës Zgjedhore propozimet për tre kapitujt e pambyllur të Kodit, që kanë të bëjnë me rikompozimin e KQZ-së, futjen e teknologjisë dhe hapjen e kutive.
Sa i përket institucionit që administron procesin zgjedhor, PS propozon që gjashtë anëtarë të zgjidhen me formulën aktuale, 2 PD, 2 PS dhe nga një dy forcat e dyta në maxhorancë dhe opozita. Ndërsa për kryetarin e KQZ, PS hedh idenë e marrjes së disa propozimeve nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, kryetari i Gjykatës së Lartë, KLD, dhe të paktën 4 organizata të shoqërisë civile që kanë përvojë më shumë se 5 vjet në fushën e zgjedhjeve. Emrat që do të vijnë nga këto institucione, së bashku me ato të shoqërisë civile, do ti nënshtrohen një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve dhe më pas ky komision do të zgjedhë dy kandidatë, të cilët do ti shkojnë seancës parlamentare në votim. Kuvendi duhet të zgjedhë me shumicën e deputetëve njërin prej kandidatëve. Ndërsa për anëtarët aktualë të KQZ-së, që mund ti ndërpritet mandati, PS parashikon se anëtarit të KQZ-së që i ndërpritet mandati për shkak të nenit 182, përfiton pagën e funksionit deri më 31 dhjetor 2012. Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm ose emërohet në një funksion ekuivalent me të. Ndërkohë opozita është tërhequr nga propozimi për futjen e teknologjisë në zgjedhje, duke pranuar qëndrimin e maxhorancës që numërimi elektronik dhe pajisja e verifikimit të kartave të futet në 10% të vendit. Por, përveç KQZ-së, pika që mban larg njëra-tjetrës dy forcat kryesore është ajo e hapjes së kutive. Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën. Provat që kërkohen lidhen me faktin e pretenduar për të cilën ka filluar shqyrtimi administrativ. Kërkesa mund të paraqitet me shkrim ose verbalisht në seancën publike të shqyrtimit të ankimit. Kërkesa nuk i nënshtrohet diskutimit apo votimit në KQZ, e cila është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara, thuhet në propozimin e PS-së për kapitullin e ankimimeve.
Reagimi i PD
Nga ana e saj, Partia Demokratike ka reaguar për propozimet e bëra nga eksperti i PS-së, duke i quajtur ato të njëanshme dhe të pakonsultuara. Në një e-mail që eksperti i PD-së, Oerd Bylykbashi, u ka dërguar anëtarëve të Komisionit dhe ekspertit të PS-së, Bledar Çuçi, thuhet: Më duhet të konstatoj se për fat të keq, rruga e ndjekur prej jush është në kundërshtim flagrant me rregullat e vendosura nga Komisioni dhe praktikën e deritanishme të funksionimit të grupit të ekspertëve. Ashtu siç e dini, çdo propozim diskutohet së pari, për aq kohë sa është e nevojshme, në grupin e ekspertëve, dhe vetëm më pas dërgohet në Komision. Bylykbashi shprehet se nga munguar kontakti me përfaqësuesit e PS-së pasi ata kanë refuzuar ftesat për të punuar mbi propozimet. Gjykoj që kjo mënyrë pengon dukshëm punën e Komisionit. Gjithashtu duket se kjo mënyrë të operuari në mënyrë të mbyllur ka si qëllim pikërisht vendosjen e Komisionit para debatesh të kota e pa efektivitet në një kohë që koha në dispozicion të Komisionit është e kufizuar. Ju kujtoj se pjesa dërrmuese e dispozitave të mbetura është diskutuar në takimet me ekspertët e ODIHR-it.

Propozimet e PS
Për KQZ

Kryetarin mund ta propozojnë Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, kryetari i Gjykatës së Lartë, KLD, dhe të paktën 4 organizata të shoqërisë civile që kanë përvojë më shumë se 5 vjet në fushën e zgjedhjeve, të cilat i paraqesin Kuvendit të paktën dy kandidatë. Pas një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, përzgjidhen dy kandidatë në mënyrë kolegjiale. Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit pas votimit të fshehtë. Nëse asnjë kandidat nuk ka marrë shumicën e votave të kërkuara, zhvillohet një votim i dytë mes kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.

Për teknologjinë
-KQZ përcakton planin e veprimit për përmbushjen e projektit të SEN në një numër të caktuar të ZAZ-ve sipas përcaktimit me akt normativ të KQZ, që në çdo rast përbëjnë të paktën 10 për qind të numrit të zgjedhësve të vendit. KQZ përcakton planin e veprimit për përmbushjen e projektit të SEV në të gjitha QV-të e njësive vendore me mbi 20 mijë zgjedhës.

Hapja e kutive
Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën. Provat që kërkohen lidhen me faktin e pretenduar për të cilin ka filluar shqyrtimi administrativ. Kërkesa mund të paraqitet me shkrim ose verbalisht në seancën publike të shqyrtimit të ankimit. Kërkesa nuk i nënshtrohet diskutimit apo votimit në KQZ, e cila është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara.

Ripërtëritja
Dy nga anëtarët e zgjedhur sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi (6 anëtarët që zgjidhen nga 4 parti) e ushtrojnë detyrën për 3 vjet me të drejtë rizgjedhjeje. Anëtarët që u ndërpritet mandati përpara kohe përcaktohen me short mes tre anëtarëve të propozuar nga shumica parlamentare dhe tre anëtarëve të propozuar nga opozita parlamentare sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. KQZ  zhvillon hedhjen e shortit në seancë publike jo më vonë se 30 ditë nga konstituimi, thuhet në propozimin e PS.

QV-të, jo në banesa private
PS-ja propozon që në asnjë rast qendrat e votimit të mos jenë të vendosura në ambiente private. Qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendi i numërimit të votave nuk mund të krijohen: në ndërtesa private, pa vendim  të KQZ-së. Në çdo rast qendra e votimit nuk mund caktohet në banesa private; në ndërtesa që përdoren nga administrata publike, me përjashtim të institucioneve arsimore, kulturore dhe shëndetësore; në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi, pjesërisht ose tërësisht, të një partie politike, kandidati, të afërmve të tij, ose kanë shërbyer si zyra elektorale gjatë fushatës zgjedhore, thuhet në propozimin e opozitës.

Debati për pasaportat
Në propozimin e PS-së për dokumentet që duhet të paraqesë zgjedhësi në qendrën e votimit, thuhet: Pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit: zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të vlefshme të identitetit si më poshtë: letërnjoftim; ose pasaportë biometrike. Por, rreth dy muaj më parë, shumica dhe opozita nuk ishin në të njëjtin mendim lidhur me këto dokumente. Sipas socialistëve, zgjedhësi mund të votojë vetëm me pasaportë biometrike dhe jo me pasaportat e vjetra, të cilat, me vendim qeverie, janë bërë të pavlefshme. Nga ana e saj, PD-ja argumenton se heqja e së drejtës për të votuar me pasaportë të thjeshtë penalizon emigrantët që mund të vijnë në Shqipëri vetëm për të marrë pjesë në proces.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›