E Diel, 1 Nëntor 2026

Faturat e papaguara, nisin ndëshkimet në Kukës

Borxhet Zona më e varfër e vendit është edhe më problematikja për pagesën e energjisë

Në Rrethin e Kukësit mospagesa e energjisë elektrike përbën një problem jo të vogël për OSSH-në, për administratën lokale dhe për shtetin në tërësi. Treguesit e muajve të fundit flasin për shifra tepër të ulëta në pagesën e faturave të energjisë elektrike të konsumuar. Për konsumatorin familjar, pagesa e rrymës së konsumuar arrin rreth 13 për qind, një tregues shumë i ulët edhe si mesatare e viteve të fundit, por edhe përqindja më e ulët në të gjithë vendin. Nga zyra lokale e OSSH-së në Kukës mësohet se ky është një problem gati historik i debitorëve të Kukësit, duke filluar që nga fillimi i viteve 2000, kur nisi edhe rritja më e madhe e çmimit të energjisë elektrike. Shumë prej familjeve të Kukësit, mospagesën e energjisë elektrike e lidhin me disa faktorë si papunësia, varfëria ekstreme, si dhe mungesa e kompensimit nga shteti të tokave të përmbytura nga hidrocentrali i Fierzës, ku u përmbytën shtëpitë, pronat dhe infrastruktura.

Përmbytja nga hidrocentrali më i madh në vend ndodhi në vitin 1978, ndërsa kërkesa për kompensim u artikulua në vitin 1992, atëherë kur dolën në dritë problemet sociale të krijuara nga përmbytja. Por kërkesat e banorëve për kompensim nuk e lehtësojnë aspak situatën e vështirë të elektrikut dhe as i lehtësojnë debitë e krijuara nga konsumatorët.

Por konsumatorët familjarë të papunë nuk janë të vetmit debitorë. Drejtues lokalë të OSSH-së tregojnë se në Rrethin e Kukësit janë gjithashtu debitorë mbi 75 për qind e punonjësve buxhetorë, të cilët me muaj të tërë nuk e paguajnë faturën e energjisë elektrike, pavarësisht masave shtrënguese të marra nga drejtuesit e institucioneve. Gjithashtu nga OSSH mësohet se edhe një numër institucionesh publike janë debitorë të mëdhenj të energjisë elektrike, ndërsa nuk mbeten prapa edhe një numër subjektesh private, të cilat kanë një debi të trashëguar që shkon deri në 90 milionë lekë.

Pas disa fushatave sensibilizuese për pagesën e energjisë elektrike, filiali i Kukësit ka bërë prerjen e furnizimit për një numër debitorësh. Aktualisht specialistë të elektrikut, të mbështetur edhe nga efektivë të rendit, kanë bërë prerjen e furnizimit për qindra konsumatorë, duke diferencuar në mesin e tyre ata pak persona që e paguajnë energjinë e konsumuar. Ndërprerja e rrymës është realizuar në kabinën e matësve të energjisë që ndodhen në shkallët e pallateve, ku përveç prerjes së lidhjes, specialistët kanë salduar edhe dyert e kabinave për të shmangur çdo tentativë për një rilidhje amatore. Drejtues të elektrikut kanë paralajmëruar se për çdo rast të lidhjes së paligjshme të energjisë do të ketë procedime penale.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›