E Diel, 1 Nëntor 2026

"National Geographic" promovon Shqipërinë turistike

Trashëgimia kulturore shqiptare do të jetë pasaporta më e mirë e shqiptarëve në botë

Shqipëria është një nga gjashtë vendet e Ballkanit, që është prezantuar në suplementin e muajit qershor të revistës "National Geographic Traveler Magazine", realizuar falë mbështetjes së USAID-it.

Suplementi me titull "Ballkani Perëndimor, vendi i zbulimeve" prezanton thesaret natyrore, historike dhe kulturore të rajonit. I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, i cili tha se turizmi është në rritje të vazhdueshme dhe do të jetë për shumë vjet një nga promotorët kryesorë të rritjes ekonomike të vendit. "Shqipëria, deri në vitin 2015, do të jetë e pozicionuar me imazhin e saj frymëzues, si një vend i gjallë, tërheqës dhe mikpritës, me destinacione të shumta turistike bazuar në kulturën dhe bukuritë e saj", u shpreh Xhaferraj. Sipas tij, një nga faktorët që do të ndihmonte në realizimin e këtij qëllimi është bashkëpunimi i ngushtë me sektorin privat, duke fuqizuar më tej në tregjet ndërkombëtare pozicionin e Shqipërisë dhe të turizmit shqiptar.

"Shqipëria së bashku me Kroacinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera të rajonit konsiderohen si destinacione të Ballkanit me një popullaritet në rritje", tha Xhaferraj. Ai shtoi se operatorët turistikë dhe shkruesit e guidave të udhëtimit janë tashmë familjarë me Shqipërinë dhe mund ta përfaqësojnë denjësisht atë. Botimin e “National Geographic”, kreu i MTKRS-së, Ferdinad Xhaferraj, duke falënderuar USAID, tha se e quajti si një udhërrëfyes ideal për turistët dhe biznesmenët që vijnë në Shqipëri.

Drejtori i USAID-it në Shqipëri, Joseph C.Williams, tha se Shqipëria ka qenë e izoluar prej 50 vitesh, për pasojë ajo mbetet ende gjerësisht e panjohur jashtë Europës dhe ka ndeshur vështirësi në kapërcimin e stereotipizimeve negative lidhur me varfërinë dhe korrupsionin". Williams theksoi se duhet bërë më shumë punë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, për mbrojtjen e burimeve natyrore dhe të monumenteve të çmuara arkeologjike e historike. Ai shtoi se USAID-i po ndihmon në nivel rajoni dhe kombëtar për promovimin e imazhit të Shqipërisë si një vendmbërritje tërheqëse dhe turistike.

E pranishme në këtë takim ishte edhe zv/ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, e cila tha se ky promovim është një tregues shumë i mirë jo vetëm për turizmin shqiptar, por edhe për trashëgiminë kulturore shqiptare.

"Trashëgimia kulturore shqiptare është pasaporta më e mirë e shqiptarëve sot për në botë", tha Harxhi. Ajo pohoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadat e Shqipërisë kudo që janë, mundohen që të promovojnë këtë pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, siç është kultura, etimologjia dhe veshjet popullore. Kopje të këtij botimi do të jenë të disponueshme nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Shoqatës së Turizmit Shqiptar dhe projektit të USAID-it, "Rritje Albania". Pas kësaj, të gjitha këto do t’u shpërndahen operatorëve të huaj turistikë, ambasadave e konsullatave shqiptare, për të promovuar paketa turistike për Shqipërinë dhe rajonin.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›