E Diel, 1 Nëntor 2026

Faza e tretë e regjistrimeve, 2257 vende të lira në universitete

TIRANË- Gjithë të interesuarit për një shkollë të lartë, që nuk mundën të renditeshin ndër fituesit në dy fazat e para të regjistrimit kanë edhe një tjetër shans. Atë të fazës së tretë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar sot se në universitetet e vendit kanë mbetur 2257 vende të lira, për të cilat të interesuarit duhet të plotësojnë formularin A3.

MASH njofton se kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët:
nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t'u regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2009 - 2010; janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2009-2010; janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi;
Këta kandidatë duhet të paraqiten në Drejtoritë Rajonale ose Zyrat Arsimore (DAR/ZA) përkatëse deri në datë 16 tetor 2009, ora 18.00, për të bërë kërkesë për plotësimin e formularit A3.

Pas kësaj, formulari A3 do të shpërndahet në DAR/ZA në datë 21 tetor 2009. Kandidatët pasi ta plotësojnë, duhet ta dorëzojnë formularin A3 po në DAR/ZA deri më 26.10.2009.

Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) në datën 30.10.2009 do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë, sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara.

Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, nga data 31.10.2009 do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë.

Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 8.00 deri në orën 18.00. Për regjistrim, kandidati të dorëzoje dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme :

a) Dëftesë pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit;
b) Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi;
c) 2 fotografi;
ç) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë;
d) Për kandidatët e përcaktuar në pikën 4/c, vërtetimi i çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit.

Per kandidatët që do të shpallen fitues gjatë kësaj faze se tarifa e regjistrimit prej 1 500 lekë, e arkëtuar nga kandidati për regjistrimin përfundimtar të fazës së dytë të regjistrimeve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë në Institucionin Publik të Arsimit të Lartë do të kalojë me xhirim nga llogaria e Degës së Thesarit ku Institucioni Publik i Arsimit të Lartë ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e Thesarit të Institucionit tjetër Publik të Arsimit të Lartë, në të cilin është realizuar regjistrimi përfundimtar i fazës së tretë të regjistrimeve.


MASH bën të ditur se janë rishpërndarë gjithsej 2. 257 kuota të parealizuara në të gjitha Institucionet publike të Arsimit të Lartë si më poshtë:


Kuotat e reja, faza e trete e regjistrimeve
Universiteti i Tiranës 267
Universiteti Politeknik i Tiranës 210
Universiteti Bujqësor i Tiranës 155
Universiteti i Durrësit 225
Universiteti i Korçës 260
Universiteti i Shkodrës 300
Universiteti i Elbasanit 380
Universiteti i Gjirokastrës 293
Universiteti i Vlorës 25
Akademia e Arteve 42
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve 100

Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe 17 programe studimi të reja sipas IAL-ve dhe kuotave të tabelës së mëposhtme:


Programe te reja te formularit A3
UT Bioteknologji 80
UT Administrim dhe politikë sociale 50
UK Gjuhë Letërsi shqipe dhe frënge 50
UD Shkenca të Administrimit (profil Financë-Kontabilitet) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Financë-Bankë) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Menaxhim-Marketing) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Administrim-Biznesi) (Peshkopi) 30
UD Informatikë- Anglisht (Peshkopi) 30
UD Gjuhë-Letërsi - Anglisht (Peshkopi) 30
UD Matematikë - Fizikë (Peshkopi) 30
UD Matematikë - Informatikë (Peshkopi) 30
UD Biologji - Kimi (Peshkopi) 30
UD Psikologji - Sociologji (Peshkopi) 30
UD Procese formimi (Peshkopi) 30
UD Drejtësi (profil Asistent ligjor) (Peshkopi) (2-vjeçar) 30
UD Infermieri e përgjithshme ( 3 - vjeçare) (Peshkopi) 30
UD Informatikë (profil Rrjete kompjuterike) (Peshkopi) (2-vjeçar) 30
GJITHSEJ 600



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›