E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazliu, drejt Nurnbergut

Astrit Fazliu gjatë janarit pritet të udhëtojë drejt Gjermanisë për t’u provuar në skuadrën e Bundesligës, Nurnberg. Por, sulmuesi ferizajas fillimisht do të mundohet të përgatitet intensivisht për disa ditë me Prishtinën, që kur t’i bashkohet ekipit gjerman të jetë plotësisht i përgatitur. Ai shpreson që të mbetet në Nurnberg, ku luan edhe Albert Bunjaku. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 14 janar 2011 në ora 13:24

Astrit Fazliu po mundohet ta shfrytëzojë këtë afat kalimtar të futbollistëve për t’u transferuar në ndonjë ligë evropiane. Sulmuesi i Prishtinës pas disa ditësh pritet të udhëtojë drejt Gjermanisë për t’u provuar në Nurnberg, ekip ky që garon në Bundesligë.

Testimin në këtë skuadër, Fazliut ia kanë mundësuar disa biznesmenë që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani, të afërt me zyrtarët e Nurnbergut. Këtë e ka bërë të ditur vetë Fazliu për Express.

“Dy biznesmenët kosovarë ua kanë dorëzuar zyrtarëve dhe trajnerit të Nurnbergut disa video-xhirime të mijat. Pasi i kanë parë xhirimet, zyrtarët dhe trajneri i Nurnbergut u kanë thënë atyre dy biznesmenëve kosovarë se unë mund të shkoj për t’u provuar”, deklaroi Fazliu për Express.

Ai tregoi se veç është pajisur me vizë për të udhëtuar drejt Gjermanisë, në mënyrë që t’i bashkohet në prova Nurnbergut. Por, Fazliu fillimisht do të mundohet t’i mbushë bateritë duke u stërvitur intensivisht për disa ditë me Prishtinën, që kur t’i bashkohet Nurnbergut të jetë plotësisht i përgatitur.

“Aktualisht jam i përgatitur rreth 70 për qind. Të shtunën do t’i nisim stërvitjet me Prishtinën. Për disa ditë do të përgatitem maksimalisht me Prishtinën, njëkohësisht do të ushtroj edhe vetë e më pas do të nisem drejt Gjermanisë. Kështu, kur të shkoj në prova te Nurnbergu të jem i përgatitur 100 për qind, sepse është një shans i mirë për mua”, theksoi Fazliu.

Ai shpreson që t’i bind zyrtarët e Nurnbergut për ta mbajtur në skuadër gjatë ditëve sa do të testohet aty.

“Shpresoj se do t’i bindi zyrtarët e Nurnbergut për të më mbajtur. E kam një vetëbesim të madh. Nëse përgatitem mirë në Prishtinë, mendoj se nuk do të hasi në problem atje”, vazhdoi ish sulmuesi i Ferizajt i cili tha se do të kishte shumë dëshirë të luante në repartin e sulmit të Nurnbergut përkrah Albert Bunjakut.

Ai tregoi se ka oferta edhe nga disa klube suedeze, çeke e polake për t’u provuar, por Nurnbergu është primar për të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›