E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sparta e Karlsruher, pas Maliqit

Pas Shkëndisë, edhe Sparta e Pragës dhe Karlsruher kanë zgjuar interesim për Behar Maliqin. Skuadra çeke dhe ajo gjermane e kanë ftuar në prova mesfushorin e Prishtinës. Edhe vetë Maliqi ka shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar ndonjërit prej këtyre dy ekipeve. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 14 janar 2011 në ora 13:26

Shkëndija e Tetovës nuk është skuadra e vetme që po mundohet të përforcohet me kapitenin e Prishtinës, Behar Maliqi.

Mesfushori 24 vjeçar është ftuar për t’u provuar edhe nga një klub çek dhe një tjetër gjerman. Bëhet fjalë për ekipin e Superligës së Çekisë, Sparta e Pragës dhe skuadrën nga Bundesliga 2, Karlsruher.

Lajmin e ka konfirmuar për Express menaxheri i futbollistit, Remo Rashica, i cili thekson se gjasat janë të mëdha që Maliqi karrierën ta vazhdojë në ndonjërin prej këtyre dy ekipeve.

“Zyrtarët e Spartës së Pragës dhe Karlsruher i kanë parë disa video-xhirime të Beharit. Të dyja palëve u kanë pëlqyer bukur shumë cilësitë e tij. Andaj, Behari është ftuar për t’u provuar nga këto dy ekipe. Një gjë të tillë Behari do ta bëjë posa t’ia nxjerrë një vizë, të cilën punë besoj se do ta kryejmë shpejt”, tha Rashica i cili sqaroi se Maliqi fillimisht do të testohet në ekipin gjerman, pastaj në atë çek.

Ai theksoi se gjasat janë të mëdha që Maliqi të nënshkruajë kontratë me ndonjërën prej këtyre dy skuadrave.

“Të dyja këto ekipe e njohin mirë Beharin dhe mund ta provojnë vetëm nga dy-tri ditë, sepse gjasat janë shumë të mëdha që ai të mbetet atje. Karlsruher e pëlqen futbollistin. Kurse Sparta e Pragës e ka shitur një mesfushor në Angli dhe Maliqin e sheh si zëvendësues adekuat të atij lojtari”, vazhdoi Rashica.

Mirëpo, nëse Maliqi e bind ndonjërin prej këtyre dy ekipeve për ta mbajtur, atëherë fjalën e fundit do ta thotë Prishtina, me të cilën skuadër futbollisti ka kontratë valide.

Mirëpo, Maliqi para pak ditëve veç ka arritur një marrëveshje me drejtuesit e Shkëndisë. Kjo e fundit duhet ta bind tani edhe Prishtinën që ta lirojë Maliqin nga kontrata, në mënyrë që futbollisti të udhëtojë drejt Tetovës.

Por, Maliqi pohon se edhe nëse nënshkruan kontratë me ekipin maqedonas, do ta braktisë atë në qoftë se i jepet rasti për të luajtur me Spartën e Pragës apo Karlsruher.

“Nëse Shkëndija merret vesh me Prishtinën, unë do të bëhem lojtar i Shkëndisë. Mirëpo, do t’i shqyrtoj mundësitë për të luajtur me Spartën e Pragës apo Karlsruher. Menaxheri im më ka njoftuar se këto dy ekipe janë të interesuara për mua. Unë do t’ua kthej paratë zyrtarëve të Shkëndisë, nëse arrij marrëveshje me Spartën e Pragës apo me
Karlsruher”, deklaroi Maliqi për Express.

“Kështu jam marr vesh me zyrtarët e Shkëndisë, që të lirohem nëse arrij marrëveshje me ndonjë ekip më të fortë evropian, sepse të gjithë ne synojmë të luajmë në liga më të forta”, shtoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›