Viti 2011, i Shaqirit

Në muajt e fundit, gjenerata e re e futbollistëve ka ndërtuar reputacion në klubet evropiane. Disa, si Neymar, Javier Pastore, Eden Hazard e Jack Wilshere, tashmë kanë fituar famë.
Mirëpo, Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FFA), përmes uebfaqes së vet zyrtare, ka propozuar emra tjerë të futbollistëve të rinj që mund të shpërthejnë në vitin 2011. Ndër 13 emrat e përmendur, për të cilët ky mund të jetë viti i tyre, FIFA ka përmendur edhe talentin shqiptar Xherdan Shaqiri.
“Ylli kreativ i Zvicrës, kampione e botës me ekipin U17, e ka përforcuar potencialin të cilin e kishte shfaqur në kompeticionin Nigeria 2009. Ai shkëlqeu me Baselin në kampionatin zviceran dhe në Ligën e Kampionëve. Ai ishte përfshirje e befasishme e selektorit të Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, në Botërorin e fundit. Shaqiri pritet të ketë një të ardhme në nivele të larta të futbollit për vite të tëra”, shkruan shtëpia e futbollit botëror, e cila ua propozon klubeve evropiane 19 vjeçarin.
Xherdan Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014. Gjilanasi ka konfirmuar se nuk do të lëvizë nga Basel gjatë afatit kalimtar të janarit, por gjatë verës mund të ketë ndryshime rreth së ardhmes së talentit kosovar. Për shërbimet e Shaqirit interesim kanë shfaqur shumë skuadra evropiane si Bayern Munchen, Borussia Dortmund, Hamburg, Liverpool, Inter, Juventus e Palermo.
Përpos Shaqirit, FIFA ka propozuar edhe 12 lojtarë të tjerë të shquar dhe talentë të pamohueshëm, te të cilët duhet të përqendrohet vëmendja e klubeve evropiane, si: Luc Castaignos (Feyenoord), David de Gea (Atletico Madrid), Alan Dzagoev (CSKA Moscow), Youssef El-Arabi (Caen), Shinji Kagawa (Borussia Dortmund), Jordan Henderson (Sunderland), Mats Hummels (Borussia Dortmund), Koo Ja-Cheol (Jeju United), Erik Lamela (River Plate), Lucas (Sao Paulo), Romelu Lukaku (Anderlecht) e Andrea Ranocchia (Inter).
Natyrisht, FIFA sqaron se këta janë vetëm disa nga futbollistët e shumtë që mund të shkëlqejnë gjatë vitit 2011.