E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç “lan duart” me drejtësinë Prokuroria i pushon procedimin penal

08/05/2009  TIRANE- Njësia hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës ka pushuar procedimin penal në ngarkim të shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i cili akuzohej për veprën penale të “pastrimit të parave” dhe “evazionit fiskal”. Mësohet se vendimi i pushimit është marrë dje në drekë, ku pas një analize të fakteve të servirura nga disa letërporosi, prokurori i çështjes ka vendosur të mbyllë përfundimisht këtë dosje duke i dhënë fund spekulimeve, se biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç ka pastruar para në Shqipëri. Specialistët e zyrës antikorrupsion kanë marrë përgjigje nga disa letër-porosi në të cilat thuhet se njeriu më i përfolur Damir Fazliç, nuk ka kryer asnjë veprimtari kriminale në shtetet ku ai ka ngritur bizneset e tij. Duke parë mosimplikimin e tij në aferat kriminale në këto shtete, por edhe në vendin tonë si dhe duke analizuar disa dëshmi të personave që Fazlliç ka bashkëpunuar në ngritjen e bizneseve të tij në Shqipëri, organi i akuzës ka konstatuar se serbo-boshnjaku nuk ka kryer asnjë element të veprës penale me të cilën i është regjistruar procedimi. Të ndodhur në këtë situatë, por edhe për shkak se dje ishte afati përfundimtar i hetimeve të kësaj çështje, akuza vendosi të pushojë çështjen ku nën hetim ishte serbo boshnjaku Damir Fazliç. Mirëpo përkundër këtij vendimi shprehet zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti, e cila në një linjë telefonike, nuk ka konfirmuar as ka hedhur poshtë lajmin, por ka zgjedhur të përgjigjet se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë çështje. Madje tepër të heshtur kanë qenë prokurorët Altin Dumani dhe Besnik Cani, të cilët për gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme i kanë pasur telefonat e mbyllur, duke mos dhënë asnjë koment mbi çështjen. Procedimi në ngarkim të biznesmenit Damir Fazlliç ka filluar të hetohet kryesisht. Historia e tij fillon menjëherë pas arrestimit të Fazlliç në Bosnjë, ku më pas mediat shqiptare zbardhën fakte që vënë në dyshim aferat e tij tregtare në Shqipëri. Në këto afera ai ka pasur lidhje me zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare. Prej disa ditësh mediat shqiptare denoncuan aktivitetin e 5 kompanive, të cilat mbajnë emrin e Damir Fazlliç si pronar dhe administrator shtetasin Erion Isufin. Gjatë zhvillimit të procesit hetimor serbo-boshnjaku vuri në lëvizje dy avokatë shqiptarë si dhe dy avokatë të huaj. Para dy muajsh ai është paraqitur në Prokurori ku ka dhënë deklarimet e tij para hetuesve shqiptarë.

E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›