E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon xhirimet filmi “Gomarët e kufirit”

08/05/2009  Pas një pune të gjatë kanë përfunduar xhirimet e filmit më të ri kosovar “Gomarët e kufirit”. Fabula e filmit trajton një periudhë të vështirë të popullit shqiptar, atë të viteve ’70 dhe është e fokusuar në ngjarjet që ndodhin pikërisht në një zonë rurale që shënonte kufirin e hekurt mes Kosovës (ish-Jugosllavisë) dhe shtetit amë, Shqipërisë. Një gjetje e veçantë e skenaristit Jeton Neziraj dhe bashkëpunimit me regjisorin Jeton Ahmetaj, në të gjitha fazat, që nga shkrimi i skenarit e deri në fazën e realizimit, ka bërë që opinioni kosovar, por edhe ai mbarëkombëtar me të drejtë të presë një projekt filmi që pretendon në fushën ndërkombëtare të kinematografisë. Projekti filmik “Gomarët e kufirit” qysh në konkursin e vitit 2002 është shpallur njëri nga skenarët më të mirë së bashku me “Kukumin” e Isa Qosjes, “Anatema” të Agim Sopit etj. Ndërkaq në konkursin e vitit të kaluar (2008) është shpallur unanimisht nga juria profesionale vlerësuese si skenari më i mirë për t’u realizuar, në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë. Ky projekt filmi është i katërti me radhë që realizohet pas luftës në Kosovë, pas filmave “Etjet e Kosovës” të Sunaj Racës, “Kukumi” të Isa Qosjes dhe “Anatema” të Agim Sopit. E veçanta e projektit filmik “Gomarët e kufirit” është fakti se ekipi realizues ka qenë tejet i mobilizuar, i vetëdijshëm për mundësitë “e varfra materiale”. Shuma që i është ndarë këtij filmi ka qenë 240 mijë euro dhe disa premtime që pritet të realizohen për fazën më të vështirë, atë të postproduksionit, fazë e cila me gjasë do të vazhdojë në Slloveni, ku do të bëhet filtrimi i zërit, fotografisë etj.

“Gomarët e kufirit” është paraparë që të përfundojë vitin e kaluar, por meqenëse kushtet klimatike ishin faktori kryesor (sipas skenarit duhej të mbretëronin temperatura të larta dhe me vapë), ekipi realizues ka ndërprerë xhirimet në tetor të vitit kaluar, për të vazhduar menjëherë në pranverë të këtij viti, sapo janë krijuan kushtet klimatike.

Sipas njërit prej aktorëve më të mirë të skenës kosovare, i njohur edhe jashtë saj, Bajrush Mjaku, nga Shkupi, “Gomarët e kufirit” sigurisht do të dalë një vepër e madhe. Ai ka vlerësuar regjisorin Ahmetaj dhe ekipin realizues dhe mendon se, edhe pse ai vetë ka pasur tetë ditë xhirime, mjaftojnë për të kuptuar që filmi është nga ata që mbahet mend gjatë. Ndërsa për aktorin tjetër, Hysen Binaku, i cili është përshëndetur me duartrokitje të zjarrta nga të pranishmit, roli i tij (komisari) ka qenë njëri nga rolet e rralla që i është qasur me aq shumë seriozitet.

Ky projekt ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm profesionistësh nga hapësira mbarëkombëtare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj.).

Regjisori

Jeton Ahmetaj i takon gjeneratës së parë të degës së regjisë filmit të diplomuar në Kosovë. Deri tani ka realizuar numër të konsiderueshëm projektesh filmike, teatrore e televizive. Ndër filmat e tij të parë janë “Gremina”, “Fotografia”, “Ankthi” dhe “Ikja me vdekjen”, filma këta të metrazhit të shkurtër dhe filmi njëminutësh “Zogu”. Nga projektet tjera kinematografike të Ahmetajt veçohet edhe filmi i metrazhit të mesëm “I zhdukuri”. Përpos projekteve kinematografike, Ahmetaj ka realizuar edhe një mori projektesh teatrore, ku veçohet teksti i Nebi Islamit “Të lumët na për këtë liri”, pastaj “Dredhëzat mbi varre”, sipas motiveve të veprës voluminoze “Një ngjarje në Vishi” të dramaturgut nga më të njohurit modern, tashmë të ndjerit Artur Myler etj. Ahmetaj ka bashkëpunuar edhe me teatro të ndryshme në Kosovë me disa komedi, ku është veçuar sensi i tij për këtë zhanër.

Ekipi filmik

Me skenar të Jeton Neziraj, regji nga Jeton Ahmetaj, skenografi dhe kostumografi të Sabri Bashës, drejtor i fotografisë është Afrim Spahiu. Ekipi i aktorëve përbëhet nga Enver Petrovci, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Hysen Binaku, Veton Osmani, Shkumbin Istrefi, Bajrush Mjaku, Valina Muqolli, Hazir Haziri, Shpëtim Kastrati, Luan Daka, Selman Jusufi, Melihate Qena, Ramadan Malaj, Alban Shahiqi etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›