E Diel, 1 Nëntor 2026

Federata e ka mirë

Shumica e klubet të Superligës e kanë mirëpritur vendimin e Federatës së Futbollit që numri i skuadrave në elitë të mos zvogëlohet për edicionin 2013/2014, siç ishte paralajmëruar. Njëherësh, atyre u ka pëlqyer vendimi që në atë edicion edhe ekipi i nëntë të përfshihet në ndeshje barazhi, sepse në këtë mënyrë presin që sadopak të zvogëlohen manipulimet.

Vetëm edhe në edicionin e ri, i cili nis më 18 gusht, garat në Superligë do të zhvillohen me sistem të njëjtë, sikurse në kampionatin e fundit. Por, sistemi aktual garues do të ndryshojë në edicionin 2013/2014.

Në fakt, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka vendosur që në atë edicion mos ta zvogëlojë numrin e skuadrave në Superligë, siç kishte vendosur fillimisht. Por, ndryshimi i vetëm do të jetë ai që përveç ekipit të dhjetë, edhe skuadra e nëntë të përfshihet në ndeshje barazhi. Këtë pritet ta aprovojë shumë shpejt Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.

E kjo i ka gëzuar klubet e Superligës, posaçërisht ato të cilat zakonisht luftojnë për mbijetesë, të cilat fillimisht ishin frikësuar se mund të pësojnë nga paralajmërimi për zvogëlimin e Superligës.

“Ne kemi qenë kundër zvogëlimit të numrit të ekipeve në Superligë, shkaku i shumë arsyeve. Ndërkohë, ne pajtohemi që edhe ekipi i nëntë të luajë ndeshje barazhi, sepse duke u munduar t’i iket kësaj pozite, sadopak do të zvogëlohen edhe manipulimet”, tha Ahmet Morina, zyrtar i lartë i Vëllaznimit, skuadër kjo e cila prej disa vitesh mezi i ka shpëtuar rënies nga Superliga me përjashtim të edicionit të fundit.

Njëjtë shprehet edhe Arton Berisha, nënkryetar i Ferronikelit, skuadër kjo që për herë të parë sivjet do të garojë në Superligë. “E kemi mirëpritur vendimin e FFK-së, sepse automatikisht ne do të ishim më të rrezikuarit nga zvogëlimi i Superligës, sepse jemi ekip debutues. Ndërkohë, do të jetë më mirë futja e ekipit të nëntë në barazh sepse do të zvogëlohen kalkulimet. Kjo do të bëjë që gjysma e Superligës të mund të luftojnë për titull, kurse të tjerat për mbijetesë”, tha Berisha.

Por, jo të gjitha skuadrave u ka pëlqyer ky vendim. Prishtina ishte ithtare e idesë që numri i skuadrave në Superligë të zvogëlohej. “Ne ishim për atë që të zvogëlohej numri i ekipeve në Superligë, me ç’rast do të rritej cilësia. Do të garonin ekipe më serioze, ekipe më të qëndrueshme financiarisht dhe me infrastrukturë më të mirë etj.”, u shpreh drejtori i kampionit të ri, Sokol Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›