E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari i përfshirë në kurdisjet në Norvegji

Norvegjia është vendi i fundit që është përfshirë nga një skandal i kurdisjes së rezultateve të ndeshjeve të futbollit. Mediat e këtij vendi raportojnë se në këtë skandal është i përfshirë edhe një shtetas i Shqipërisë. Shqiptari kishte kërkuar ndihmë nga portieri Fylingdsalen, Robin Vikskjold për të fituar shuma parash nga bastoret.

Skandali i kurdisjeve së ndeshjeve të futbollit e ka goditur edhe Norvegjinë. Policia e këtij shteti i ka filluar hetimet rreth dyshimeve për kurdisje të ndeshjeve, derisa Federata e Futbollit e Norvegjisë ka konfirmuar se bëhet fjalë për dyshimet mbi skuadrat e Ligës së Dytë.

Në anën tjetër, gazeta Dagblejdet ka raportuar se në këtë skandal është i përfshirë edhe një shtetas shqiptar, emri i të cilit ende nuk është publikuar.

Por, sipas kësaj gazete, shqiptari nëpërmjet rrjetit social Facebook ka komunikuar me portierin e ekipit Fylingdsalen, Robin Vikskjold. Kjo gazetë i ka publikuar tri mesazhe që shqiptari ia ka dërguar Robin Vikskjoldit, rreth kurdisjes së rezultateve të ekipit të tij.

Në mesazhin e parë, shqiptari Vikskjoldit i kishte shkruar: “Përshëndetje...jam i interesuar për të blerë ndeshje dhe për arsye sigurie dua të paguaj pas përfundimit të saj...ju më thoni cila ndeshje është e fiksuar....do ta kontrolloj këtu në Shqipëri dhe nëse kam mundësi ta luaj, do ta vë dhe do të sjell një kopje të biletës në Facebook....me pas ju vendosni çmimin...nuk po ju gënjej pasi jam i interesuar të blej ndeshje tek ju. Më duhet të fitoj paratë pasi këtë vit kam humbur 25 mijë euro dhe jam në borxhe”.

Ndërsa në mesazhin e dytë, shtetasi shqiptar i kishte thënë: “Të lutem, për ndeshjen e parë më ndihmo që të paguaj pasi të përfundoj ndeshja nëse fitoj, më pas do të paguaj përpara...”. Dhe në fund: “Hej Robin...po pres për ndeshjen e nesërme”. Por, ende mbetet e paqartë nëse portieri ia ka kthyer apo jo mesazhet shqiptarit, ndonëse dyshohet se ai e ka bërë një gjë të tillë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›