Ekspozita e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine, një gjurmim në historinë shqiptare
Data 3 maj sjell për herë të parë para publikut ekspozitën e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri. Ekspozita, e cila i drejtohet publikut të gjerë, i sjell për herë të parë vizitorit mundësinë të njohë dorëshkrime dhe kodikë nga shek.VI deri në shek. XVIII pas Krishtit,
që ruhen nga Arkivi Qendror Shtetëror dhe të vlerësojë rëndësinë e tyre historike artistike. Kjo ekspozitë, e cila sjell për herë të parë një material të tillë arkivor, i cili ruhet në AQSH do të jetë në këto mjedise për disa javë më radhë. Fillimet e artit figurativ në Shqipëri lidhen me periudhën e hershme të neolitit. Qindra e mijëra qeramika, terakota, apo zbukurime ne metal etj, që u përkisnin fiseve ilire, paraardhës të drejtpërdrejt të shqiptarëve të sotëm janë dëshmi për këtë. Nga arkivi bëhet e ditur se zbukurimet e tyre janë të veçanta, të tilla që dallojnë nga arti i krijuar nga helenët, maqedonët, apo romakët. Tiparet dalluese shfaqen së shumti në qytetet e hershme ilire apo ngulmimet helene, dëshmi që thellohen më me epokën e afreskut, në kodikët e artit bizantin dhe stilin pasbizantin ku mund përmenden artistë si Onufri, David Seleenica, vëllezërit Zografi, etj. Një epokë e pasur me ngjyra e forma, që ka shumë për të gjurmuar. Një gjurmim i tillë është edhe ekspozita me dorëshkrime të kësaj periudhe, që do të çelet të hënën, më 3 maj në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Sot Arkivi Qendror Shtetëror është rrjeti arkivor më i rëndësishëm i vendit, ku ruhen dokumente që nga lashtësia e deri në ditët tona. Dokumentet e ruajtura janë në letër, pergamenë, disqe, shirita zanorë apo fotografi dhe përmbajtja e tyre është shumë e pasur. Ekspozita e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri, kryhet nën kujdesin e prof. dr. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë dhe inaugurimi i saj do të bëhet pasditen e së enjtes nga Arkivi Qendror i shtetit shqiptar, Vatra e Tiranës së Fondacionit Grek të Kulturës, Fondacionin Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ekspozita do të vazhdojë nga 4 maji deri më 4 qershor 2010. Në kuadrin e saj do të organizohet edhe një konferencë shkencore, mbrëmje të muzikës bizantine si edhe shoqërim i grupeve të nxënësve, studentëve dhe vizitorëve nëpër ekspozitë. Krijimet më të çmuara të këtij arti ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar ne Korçë, Muzeun Onufri Berat, Muzeun Historik Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve, etj. Në Korçë është ngritur edhe një muze privat, i vetmi deri tani në Shqipëri, që ruan një koleksion të pasur me vepra të artit pasbizantin. Ndërkohë që një vit më parë Arkivit Qendror Shtetëror, për pjesëmarrësit në festën e 60-vjetorit të krijimit të tij prezantoi një ekspozitë "muze". Ajo do të jetë e përhershme në ambientet e AQSH-së. Është një dhomë muze, në të cilën pasqyrohet historia e administratës shqiptare, ku ishim e ku jemi, por ka edhe më gjerë. Gjen të ekspozuar aty dokumente origjinalë si fermanë, diplomën e marrjes së çmimit të parë nga Kolë Idromeno në konkursin e parë të pikturës që është zhvilluar në Shqipëri, një fotografi e Vangjush Mios teksa pikturon, fotografi nga delegacioni shqiptar në Paris 1919, ditari i At Palë Dodajt, regjistri i Portit të Shën Pjetrit, Kodiku i Beratit nr. 1, skica të Elbasanit, Voskopojës, Beratit, Shkodrës etj., dokumente të përdorimit të gjuhës shqipe në ceremoni fetare, fotografi nga pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, etj. Ndër to është ekspozuar edhe një letër e Dora DIstrias, në të cilën ajo shkruan: "Të krijohen kudo që është e mundur ndër vilajetet shqiptare, Institute Letrare, të cilat do të merren me kërkimin e monumenteve të Shenjta të Shqipërisë, të këngëve popullore, të dorëshkrimeve etj, për të siguruar akte monumentale të letërsisë, që u shpërndanë nga turqit në kohën e lëvizjes së madhe të organizuar nga episkopët e Gegërisë e të persekutimit të tmerrshëm, që e detyroi të diturin kryepeshkop të Prizrenit, Bogdanin, për të ikur në Raguzë, duke lënë në dorën e turqve dorëshkrime të çmueshme". Pasuria e Arkivit Qendror Shtetëror është e jashtëzakonshme. Ajo fillon me shekullin VI dhe mbaron me ditët tona.
Nga Julia Vrapi