Kryeprokurori special: Ky është vetëm fillimi
“Kjo është ajo që do ta quaja fillimi i shtrëngimit të muskujve të prokurorisë”, i ka thënë Radios Europa e Lirë ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes Van Vreeswijk, duke komentuar hetimet e EULEX-it në Ministrinë e Transportit.
“Ne kemi konfiskuar materiale kompjuterike dhe dokumente për hetime të mëtejme dhe material tjetër relevant për hetime. Parimisht është mbledhje evidencash potenciale dhe kështu për ta çuar rastin përpara”, ka thënë Vreeswijk. Por, në pyetjen se a do të bëhen arrestime, ai është përgjigjur negativisht. “Jo tani. Dua të sqaroj, thënë kushtimit, ndonjë keqkuptim të ligjit, që disa njerëz mund ta kenë. Fillimi i hetimeve, përfshirë edhe bastisjen e ministrisë në këtë rast, nuk çon menjëherë te ndonjë i dyshuar. Shumica e rasteve të mëdha përfundojnë me arrestime në fund ose në fillim të hetimeve. Nuk mund të spekuloj, apo parashikoj ndonjë arrestim në këtë fazë. Hetimi ka të bëjë me rastin, jo me personat. Atë, që do dalë si rezultat nga kjo, do ta dimë më vonë dhe sapo ta marrim vesh, do t’jua komunikojmë”.
Po ashtu ai nuk është deklaruar qartë as nëse ka të dyshuar.
“Ne po hetojmë korrupsionin, krimin e organizuar dhe, në këtë qasje, ne po kontrollojmë të gjitha informacionet relevante, nga niveli i rastit, në nivelin individual”, është përgjigjur Vreeswijk, sikundër që ka mbetur pa përgjigje konkrete edhe pyetja nëse është përpiluar aktakuza. “Ju po shkoni shumë larg. Në sistemin legal të Kosovës, aktakuza është faza e fundit e procedurës për prokurorinë. Fillon me hetime mbi krimin, pastaj me vendimin, në këtë rast bastisje, pastaj kontrollojmë dhe mbledhim të dhëna dhe nga evidenca ne do të ngremë, nëse ka nevojë, aktakuzë, që zakonisht bëhet më vonë, kur rasti është gati të shkojë në gjykatë. Aktakuza është faza e fundit e aktiviteteve të prokurorëve. Ajo që po bëjmë është vendimi mbi hetimet, që është ekstrakt i një aktakuze potenciale; parimisht është një akuzë mbi të cilën dikush dyshohet dhe hetimet e vërteta do të tregojnë nëse ka dyshime të bazuara ose jo”.
Por, kur Radio Europa e Lirë e pyeti se a e dini se sa para janë keqpërdorur apo vjedhur në MTPT, ai u përgjigj: “Kemi të bëjmë me miliona”. Gjithashtu Vreeswijk ka bërë të ditur se operacioni për ta luftuar korrupsionin do të vazhdojë. “Definitivisht po. Dua t’i referohem një deklarate të lëshuar nga shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, e citoj: Kjo tregon përkushtimin tonë për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo është ajo që do ta quaja fillimi i shtrëngimit të muskujve të prokurorisë”.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, i pyetur se a do të përfshihen edhe ministritë e tjera, është përgjigjur: “Nuk mund ta parashikoj dhe ju e kuptoni këtë. Po, ne po hetojmë disa gjëra në nivel të ministrive”.
#