Depresioni, burri plumb gruas dhe vetes
I vetmuar dhe i mërzitur nga jeta që bënte, një 58-vjeçar ka udhëtuar nga Lezha në Tiranë dhe i ka kërkuar gruas të diskutojë me të, me shpresën për t’u kthyer bashkë. Por, skenari nuk ka shkuar siç e parashikonte, pasi edhe nga depresioni, ai është nevrikosur dhe nga brezi ka nxjerrë një pistoletë, duke qëlluar për vdekje të shoqen, e më pas ka vrarë edhe veten. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në mes të Tiranës, ku dy bashkëshortët, që jetonin të ndarë prej rreth një viti, ishin ulur për të sqaruar muhabetet e lëna peng.
Pikërisht paraditen e djeshme, Skënder Meshi, 58 vjeç, nga Varoshi i Lezhës, ka mbërritur në Tiranë dhe i ka telefonuar gruas së tij, Dylberes, 56-vjeçare. Ai i ka kërkuar të takohet dhe pasi kanë rënë dakord, janë ulur në një bar, në rrugën “Siri Kodra”, pranë Selvisë. Kafe kishin marrë të dy sikur ta dinin se ishte dita e fundit që jetonin dhe kanë nisur bisedën mes tyre. Kamerierja e lokalit, e cila i shërbente çiftit nga Lezha, ka dëgjuar që mes tyre ka nisur një debat, ndërsa burri kishte ngritur zërin. Ajo ka kaluar pranë tyre me qëllim për t’i vënë në siklet e të qetësohen, por ata janë acaruar edhe më shumë teksa diskutonin. Sapo ajo ka hyrë brenda, siç ka treguar edhe në polici, burri ka nxjerrë një pistoletë që e mbante në brez dhe ka qëlluar drejt të shoqes, të cilën e ka lënë të vdekur në vend.
Ulërimat e stafit, por edhe të banorëve që kalonin pranë lokalit të vogël kanë shtangur 58-vjeçarin, i cili pa bërë asnjë lëvizje, ia ka drejtuar armën vetes dhe i ka dhënë fund edhe jetës së tij.
Menjëherë, kalimtarët e tmerruar nga kjo skenë, ku çifti kishte mbetur i ngrirë në karrige, kanë njoftuar shërbimet e policisë. Fillimisht në vendin e ngjarjes kanë mbërritur kanë mbërritur shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 3, por pa kaluar shumë kohë kanë mbërritur edhe drejtues të policisë së Tiranës dhe “skuadra e vrasjeve”. Ata kanë nisur ekspertizën në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar pistoletën e llojit “TT”, që kishte rënë përdhe, pranë viktimës Skënder Meshi. Më pas është bërë identifikimi i çiftit, por fillimisht nuk dihej se çfarë kërkonin në Tiranë, pasi rezultonin se ishin nga Lezha. Por, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur djali dhe vajza e çiftit të vrarë, të cilët kanë rrëfyer historinë. Ata nuk kanë mundur të mbajnë dhimbjen dhe policia i ka mbajtur larg kufomave, derisa ata janë dërguar për në morgun e Tiranës.
Nga ana tjetër, policia tha se në vendin e ngjarjes ka gjetur edhe një çantë të vogël të burrit 58-vjeçar. Sipas të dhënave nga hetimet, çanta e zezë ishte e mbushur me ilaçe të ndryshme, ku nuk përjashtoheshin edhe ato të depresionit. Efektet e depresionit ndaj babait, i kanë konfirmuar edhe fëmijët, duke dhënë shpjegime të mëtejshme për policinë. Policia tha se ata ishin ndarë pak kohë më parë dhe tashmë po punon për plotësimin procedural të kësaj ngjarjeje të rëndë. Pas kryerjes së ekzaminimeve në morgun e Tiranës, trupat e pajetë u janë dorëzuar familjarëve të tyre për të kryer ritet dhe për t’u dhënë lamtumirën e fundit njerëzve të tyre të dashur.
#