Musine Kokalari, në një vepër të plotë
Për aq sa jetoi, Musine Kokalari shkroi vazhdimisht. Të njohura në mënyrë fragmentare vepra e saj vjen së fundmi e plotë. Sot pasdite, ora 18.00 në sallën "Tefta Tashko" në Ministrinë e Kulturës promovohet vepra e plotë e Musine Kokalarit. Dy vëllime kushtuar veprës së saj zbulojnë profilin e plotë të kësaj gruaje. E botuar në mënyrë fragmentare, "Musine Kokalari; vepra", përgatitur nga studiuesi Novruz Shehu, sjell për herë të parë të plotë veprën e saj. Një pjesë e mirë e materialeve janë përkthyer nga italishtja, gjuhë me të cilën ka shkruar në kohën e studimeve në vendin fqinj. Pjesë e këtij botimi janë një grup poezish dhe vargjesh të lira, shkruar më ‘37-‘38 dhe botuar në shtypin e kohës nga gazeta "Politika" me redaktor Andrea Varfi dhe Petro Marko. Vazhdohet më tej me tri vëllime që i përkasin letërsisë etnografike, vitet ‘38-‘44, si "Rreth vatrës", "Siç më thotë nënua plakë", "Sa u tund jeta", përmes së cilave Musineja shpërfaq edhe një tablo të traditave e riteve përmes një forme që arrin lehtësisht te lexuesi. Një sasi e madhe hulumtimesh, kryesisht në fushën gjuhësore për dialektin e Gjirokastrës prezantohen për herë të parë, ndërkohë që Shehu shprehet se ka ende materiale folklorike të mbledhura prej saj, të cilat para se të vdiste ia ka dorëzuar të nipit. Për t‘u bërë pjesë e këtyre vëllimeve është përkthyer nga italishtja edhe studimi i titulluar "Naim Frashëri", të cilin e ka mbrojtur në vitin 1941, kur studionte për letërsi para një komisioni, në përbërje të të cilit kanë qenë dy personalitetet shqiptare Namik Resuli dhe Zef Skiroi. Ndërkohë që përvoja e saj studentore vjen në formë ditari, të cilin e ka shkruar gjatë vitit të katërt të studimeve. "Jeta ime universitare"(1940-1942), përkthyer po ashtu nga italishtja, është një përvojë e rrëfyer nga vetë Musineja, në të cilën gjen detaje të imtësishme, përjetime të saj si studente e po ashtu edhe dashurinë e dështuar me një djalosh italian, e pas kësaj edhe fragmente filozofike të degradimit të shoqërisë italiane në kohën që po lindte fashizmi. Gjatë viteve që hulumtonte e shkruante, Musineja ka pasur korrespondencë me një sërë personalitetesh të shquara të asaj kohe. Shehu shprehet se janë shumë të tilla, por ai ka përzgjedhur nga dosjet në Arkivin e Shtetit vetëm letërkëmbimin me Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Lasgush Poradecin, Mit‘hat Frashërin dhe Angelo Leotin. Pjesë e vëllimeve është edhe veprimtaria e saj si politikane.
ol.li
ol.li