E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Kosova duhet ta luftojë korrupsionin

Prishtinë, 27 prill, NOA Gjatë një ligjërate të mbajtur në Universitetin Amerikan të Kosovës, me temën Perspektiva evropiane e Kosovës, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, ka deklaruar se Kosova nuk ka tjetër alternativë përveç luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas tij, shtetet që synojnë integrimet, duhet ta kenë të qartë rëndësinë e vendosjes së sundimit të ligjit dhe ti rregullojnë raportet ndërfqinjësore.

Kosova duhet ta luftojë korrupsionin nëse dëshiron perspektivën evropiane dhe kosovarët duhet të kenë durim, duke besuar se Kosova, në një të ardhme jo shumë të largët, do ta heqë qafe korrupsionin e do të ndërtojë kështu një perspektivë evropiane si edhe vendet e tjera, ka deklaruar Feith.

Ju do të shihni më shumë hapa që do të ndërmerren, ngase, në të kundërtën, Kosova kurrë nuk do të shënojë përparime në rrugën drejt Bashkimit Evropian, shtoi më pas ai.

Ndër të tjera, deklaroi se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si pjesë e vendosjes së rendit ligjor, si dhe zhvillimi ekonomik përbëjnë hapat e domosdoshëm që Kosova duhet ti ndërmarrë për sendërtimin e aspiratave drejt Bashkimit Evropian.

n.e/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›