E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjika, sfidat e shtetit që do "marrë në dorë" Europën



Belgjika po përgatitet të fillojë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në korrik por pengesat për ta pasur këtë përgjegjësi janë të shumta. Shteti belg aktualisht nuk ka një qeveri të vërtetë pas zgjedhjeve legjislative të parakohshme tashmë të mundshme, që mund t'i ashpërsojnë frontet mes flamandëve dhe frankofonëve dhe të çojnë në kolaps.
Dorëheqja e qeverisë së Yves Leterme të hënën në mbrëmje, për shkak të mungesës së kompromisit mes dy komuniteteve për të drejtat gjuhësore të frëngjishtfolësve në periferinë flamande të Brukselit, shtron përsëri çështjen e mbijetesës së këtij vendi të krijuar në vitin 1830. Kriza aktuale shpërtheu më 22 prill kur njëra nga pesë partitë e koalicionit qeveritar, Open VLD, partia liberale flamande, doli prej tij, e pakënaqur nga mungesa e përparimeve në bisedimet për këtë çështje.
Shpërbërja e koalicionit nuk ka sjellë ende shpërbërjen e parlamentit dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme nuk është ende i sigurt. Teorikisht, një parti tjetër flamande mund të zërë vendin e Open VLD deri në afatin normal të përcaktuar nga ligji, në qershor të vitit 2011. Nëse përjashtojmë partitë e ekstremit të djathtë,Vlaams Belang ose edhe ato propavarësisë si NVA-ja apo Lista Dedecker, vetëm socialistët flamandë të SPA-së mund ta zgjidhin çështjen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›