Jemen, arrestime pas atentatit ndaj ambasadorit britanik
Shtatë persona janë arrestuar që prej atentatit të dështuar ditën e së hënes kundër ambasadorit të Britanisë së Madhe në Sana. Lajmi u njoftua nga burime pranë shërbimeve të sigurisë, ndërkohë që babai i kamikazit njoftoi se djali i tij kishte qëndruar dy vjet në burg për përkatësi në rrjetin Al-Kaida.
"Deri tani, janë arrestuar shtatë të dyshuar", i deklaroi sot AFP-së një burim i shërbimeve të sigurisë, duke shtuar se arrestimet kanë ndodhur në sektorin Mseik, në lindje të kryeqytetit.
Policia jemenase ka dislokuar forca të shumta sot në arteriet kryesore rrugore të Sanës, ku ka vendosur disa pika kontrolli në lagjet ku ndodhen ambasada perëndimore, njoftoi një gazetar i AFP-së. Një kamikaz me një rrip eksplozivi u hodh dje kundër autokolonës së ambasadorit Timothy Torlot, afro 600 metra nga godina diplomatike. Diplomati doli i palënduar nga atentati. Ministria e Brendshme e Jemenit njoftoi ditën e hënë se atentati mund të ishte organizuar nga grupi terrorist Al-Kaida dhe se autori i tij ishte një i ri 22-vjeç me emrin Othmane Ali Nooman al-Salaëi, nga Tauzi, në jug të Sanës.