E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Pjetarët e UÇK që kanë kryer krimeduhet të dorëzohen

PRISHTINË - I dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, njëherësh edhe përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare ka thënë se disa pjesëtar nga UÇK-së, të cilët janë konsideruar heronj mund të kenë bërë krime apo disa vepra të tjera për të cilat duhet të përgjigjen personalisht. Lajmi bëhet i ditur nga koha ditore.

Feith ka thënë se EULEX-i ka dy prioritete në mesin e shumë të tjerave dhe konsideron se për shoqërinë e Kosovës është një sfidë e madhe që këtë ta pranojë.
“Mendoj se ky është një proces i cili do të zgjasë pak, ndërkohë që sundimi i ligjit duhet patjetër të vendoset dhe EULEX-i duhet të bëjë punën e tij”,- theksoi Feith.

Sipas tij, nëse ka prova të mjaftueshme, atëherë të dyshuarit duhet të akuzohen dhe të nxirren para drejtësisë.Ndërkohë mediat kosovare i janë referuar intervistës që i dërguari i posacëm i BE ka bërë për VOA, ku ka folur edhe për dialogun Prishtinë-Beograd dhe ka shtuar se ai mund t’ju sjellë dobi të dy palëve në rrugën drejt BE-së. Ai ka vlerësuar se hapat e parë në dialog janë pozitivë dhe kjo është baza për shqyrtimin e temave, të cilat kanë interes të drejtpërdrejtë për qytetarët. Ai ka thënë se situata në veri të Kosovës nuk duhet të jetë një lloj i konfliktit të ngrirë dhe i përket dialogut që të gjejë zgjidhje të përshtatshme për qytetarët në atë rajon.

“Kemi arsye të besojmë se dialogu do të jetë i suksesshëm, i frytshëm, ndër të tjera edhe për shkakun se shihet se çka është investuar atje. Edhe për Serbinë edhe për Prishtinën ekzistojnë dobi të rëndësishme, siç janë afrimi BE-së, secila në mënyrën e vet dhe në ritmin e vet. Unë mendoj se të dy palët kanë dëshirë të mirë të arrijnë rezultate. Ndërmjetësi është profesionist i jashtëzakonshëm në udhëheqjen e këtij dialogu. Për këtë shkak kam shpresa të mira që ky do të jetë i suksesshëm”, ka theksuar Feith.

Përsa i përket hetimeve në rastin e raportit të Dick Martyt për tregtinë me organe, Feith mendon se mekanizmi më i mirë është EULEX-i, i cili ka kapacitet që të bëjë hetime të mëtejshme. “Edhe më tutje mendoj se EULEX-i duhet të jetë ai që do të ndërmarrë hapat e domosdoshëm në këtë rast”, ka përfunduar i dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë, Pieter Feith.

(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›