E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënohet Dita e të rënëve dhe përvjetori i masakrës së Izbicës

Nga Express më 28 mars 2011 në ora 17:46

Me një tubim popullor në afërsi të vendit të krimit dhe varrezave të këtushme, të hënën është shënuar 12 vjetori i Masakrës së Izbicës, që njihet si masakra me më së shumti viktima, ku janë vra 147 civilë të moshës 1-104 vjeç, trupat e 39 prej të cilëve ende nuk janë gjetur.

Komuna e Skenderajt nga lufta ka dalë me 1311 të rënë, duke e bërë komunën me më së shumti të rënë gjatë luftës së UÇK-së.

Sipas dëshmitarëve, forcat serbe kishin rrethuar natën mes 27-28 marsit, rreth 10 mijë banorë të disa komunave të kësaj ane që ishin strehuar në atë fshat. Pasi ishin plaçkitur, kishin ndarë meshkujt dhe kishin kërkuar nga 1000 DM për secilin që të mos i ekzekutojnë, por edhe pse kishin marrë para nga disa prej tyre, megjithatë i kishin ekzekutuar.

Gratë e fëmijët i kishin nisur për në Shqipëri, kurse 147 civilë të moshave të ndryshme prej 1-104 vjeç, i kishin ndarë në grupe të vogla dhe i kishin ekzekutuar.

Fekë Feka nga Klina e Poshtme, është njëri prej 16 të shpëtuarve, madje njëri prej 4 atyre qe kanë shpëtuar të paplagosur.

Ai tregon se si pasi i kishin ndarë meshkujt në njërën anë, i kishin rreshtuar dhe i kishin kërkuar t’i heqin plisat, ata që kishin pasur.

“Me do që ishim afër u morëm vesh që edhe nëse kërkojnë prej nesh, të mos flasim keq për djemtë tonë të UÇK-së, por nuk vonoj e ja filluan batarët e peshkve”, kujton ai ato momente kur e kishte parë vdekjen me sy.

Sipas Sadik Xhemailit, kufomat ishin marrë më 2 qershor me qëllim të fshehjes së krimit, dhe afro 40 prej tyre nuk janë gjetur ende.

Shumë nga të pranishmit kanë shprehur indinjatë rreth mosgjetjes së mbetjeve mortore, por edhe për mos kujdesin e duhur ndaj kategorive të dala nga lufta dhe për vet gjendjen e varrezave, të cilat në të shumtën janë pa përkujdesje.

Fadil Nura, nënkryetar i Komunës së Skenderajt, ka thënë se kur lufta e popullit tonë e udhëhequr nga UÇK-ja po kalonte muajt e fundit drejt lirisë, ndodhën masakra të papara në shenjë hakmarrje nga humbjet e njëpasnjëshme që merrnin serbët në frontet e luftës nga UÇK-ja dhe aleati i saj, NATO.

“Ky gjak i derdhur i dha frymëzim dhe fuqi luftës çlirimtare, i dha kuptim lirisë së fituar dhe po i jep shpirt pavarësisë dhe shtetësisë së atdheut tonë”, ka përfunduar ai.
Për masakrën e Izbicës foli edhe Xhavit Aliu, ndërkaq në emër të familjarëve të të rënëve të pranishmit i përshëndeti Petrit Beqiri./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›