E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith e Thaçi u shmangen takimeve kokë me kokë

Prishtinë Pas hetimeve të EULEX ndaj ministrit të Transporteve

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, që njëherësh është edhe përfaqësues special i BE-së në Kosovë, ka rreth dy muaj që nuk është takuar në katër sy me Kryeministrin Hashim Thaçi, shkruante e përditshmja “Koha Ditore”. Relacionet mes dy zyrtarëve të lartë, sipas këtij burimi, kanë filluar të ftohen që nga dita kur shefi i ICO-së ka hyrë në zyrën e Kryeministrit për t’i rekomanduar shkarkimin e një ministri të dyshuar për keqpërdorim të miliona eurove. Në atë takim, sipas tij, Kryeministri Thaçi nuk është pajtuar me Feithin që ta shkarkonte pa fakte të verifikuara ministrin e dyshuar. Bastisjet që u janë bërë ditëve të fundit pronave të ministrit Fatmir Limaj dhe Ministrisë së Transportit e Postë-Telekomunikacionit, kanë dhënë për t’u kuptuar se dyshimet kanë rënduar pikërisht mbi Limajn. Pak ditë pas kërkesës për shkarkim të ministrit, përkatësisht në ditët e para të marsit, udhëheqësi vendës dhe ai ndërkombëtar është dashur të jenë në Kuvendin e Kosovës, për të harmonizuar një qëndrim me Kryesinë dhe me shefat e grupeve parlamentare lidhur me debatin për veriun, të cilin e kishte kërkuar Lidhja Demokratike e Dardanisë. “Në atë takim nuk ka dashur të merrte pjesë Kryeministri Thaçi, por në vend të tij ka propozuar të shkonte zv.kryeministri Hajredin Kuçi. Kur Feith e ka kuptuar se Thaçi nuk do të ishte i pranishëm, edhe ai është tërhequr”, ka thënë burimi. Si rrjedhojë, askush nga qeveria dhe ICO-ja nuk ka marrë pjesë në takim. Mosprania e tyre është konfirmuar nga një shef i grupeve parlamentare. Diplomati holandez, Pieter Feith, është emëruar përfaqësues civil ndërkombëtar më 28 shkurt 2008. Ai është autoriteti suprem për mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të Ahtisarit dhe ka kompetenca ekzekutive për ndërhyje dhe korrigjim të veprimeve që bien ndesh me këtë plan. Zëdhënësi i ICO-së, Andy Mc Guffie, të shtunën, nuk ka parapëlqyer të jepte hollësi rreth takimeve që i zhvillon shefi i tij me qeveritarët vendës. "ICR-ja ka takime të rregullta me zyrtarë të qeverisë së Kosovës. Ne nuk i komentojmë hollësitë e këtyre takimeve të punës", ka thënë shkurt Mc Guffie, duke mos e sqaruar faktin nëse Feith dhe Thaçi janë takuar vetëm për vetëm gjatë muajve të fundit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›