E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët në Kosovë, jo më me kartë identiteti

Që nga viti i ardhshëm duhet të kalojnë vetëm me pasaporta

Shtetasit e Serbisë, që nga fillimi i vitit të ardhshëm, gjatë kalimit të kufirit me Kosovën do ta kenë të domosdoshme të jenë të pajisur me pasaportë dhe jo vetëm me kartë personale identiteti, sikurse deri tani, shkruante dje gazeta e përditshme serbe “Danas”, duke iu referuar këshilltarit të Kryeministrit të Kosovës për çështjet e sigurisë, Dukagjin Gorani, që gjithashtu saktësoi se alternativë për aplikimin e kontrollit të pasaportave në kufirin serbo-kosovar do të ishte arritja e një marrëveshjeje ndërshtetërore mes Prishtinës dhe Beogradit. “Kosova ka marrëveshje ndërshtetërore me Malin e Zi dhe Shqipërinë që qytetarët e Kosovës mund ta kalojnë kufirin me këta vende, gjatë sezonit të verës, vetëm me karta personale identiteti, pra pa pasaporta. Një marrëveshje e ngjashme mund të arrihet edhe me autoritetet e Beogradit, por për diçka të tillë është e domosdoshme që Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë këtë dokument si dy shtete të pavarura”, i tha Gorani gazetës “Danas”. Ai vuri në dukje se autoritetet e Kosovës edhe në këtë rast, ashtu si edhe në rastet e tjera, “nuk ndërmarrin veprime, për të cilët nuk janë marrë vesh që më parë me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, pra me SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së, që e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës, kështu që çdo kundërshtim eventual zyrtarëve serbë do t’u duhet t’ua adresojnë Uashingtonit dhe Brukselit dhe jo Prishtinës. Kosova ndodhet në procesin e liberalizimit të vizave që nënkupton aplikimin e pasaportave biometrike. Në këtë proces është e domosdoshme që të aplikohet edhe kushti i ndalimit të kalimit të kufirit vetëm me kartë personale identiteti, pavarësisht nga kombësia që mund të ketë çdokush ose vendi nga vjen. Pra, në këto kushte, qytetarët e Serbisë nuk do të përbëjnë më përjashtim, siç ka qenë rasti deri tani. Lëshimi i pasaportave biometrike do të fillojë në fund të këtij viti, kur parashikohet të fillojë edhe aplikimi i ndalimit të praktikës së deritanishme të hyrjes në vendin tonë të qytetarëve të Serbisë vetëm me kartë personale identiteti”, theksoi këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, duke shtuar se të gjithë ata që kanë lindur në Kosovë, duke paraqitur vërtetimin përkatës të gjendjes civile, kanë të drejtë të kërkojnë shtetësinë kosovare. Sipas tij, krahas shtetësisë kosovare, personat përkatës do të mund të marrin edhe kartën personale të identitetit, të cilën e lëshojnë institucionet e Kosovës, si edhe pasaportën biometrike kosovare. “Nëse nuk do të ketë marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë edhe shtetasit e Serbisë, ashtu si edhe të gjithë shtetasit e huaj, gjatë kalimit të kufirit do të duhet të paraqesin pasaportën e tyre. Institucionet në Prishtinë i mirëkuptojnë të gjitha kundërshtimet dhe moskuptimet politike që ekzistojnë midis bashkësisë serbe në Kosovë, por kufiri se deri ku mund të shkojë ky mirëkuptim është i qartë, sepse përtej tij fillon shkelja e procedurave administrative elementare”, i theksoi z. Gorani gazetës serbe të lartpërmendur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›