Nuk publikohen emrat e 180 grevistëve - strategji për futjen nëpër çadra me turne
Përveç deputetëve dhe Erion Veliajt, asnjë militanti të PS-së nuk i është publikuar emri si grevist urie. 180 mungesat dhe bllokimi i kamerave televizive, një mundësi që protesta të zhvillohet me turne dhe tensioni të zgjatet pambarimisht, pa u kufizuar nga pasojat e urisë apo dhimbjet e barkut
Sa militantë të PS-së janë në grevë urie? Sipas burimeve zyrtare ët PS-së, numërohen 180 të tillë. Por sipas Spartak Ngjelës, ky numër llogaritet në 175 të tillë.
Mosrakordimi i shifrave, vjen për shkak të mungesë së një liste të saktë të grevistëve të urisë. Ndërsa kemi një listë me 22 deputetët, nuk kemi një listë me 175, apo 180 militantët e PS-së, grevistë të urisë. I vetmi militant, i grevës së urisë, që njihet me emër, është Erion Veliaj
Mundësia për të mashtruar me këtë shifër nga ana e PS-së, rritet edhe më shumë, kur ende nuk është lejuara asnjë gazetar, apo kamera televizioni, të numërojë e fokusojë “numrin” dhe “portretet” e 175, apo 180 militantëve të PS-së, grevistë të urisë.
Në mungesë e tillë transparence, kur askush nuk ka identifikuar grevistët e urisë, Edi Rama i njeh të gjithë të drejtën vetes, që sikurse ka bërë me kokën e tij për listat e forumeve drejtuese të PS-së, apo edhe me listat e deputetëve, të bëjë edhe me listat e grevistëve të urisë. Duke pasur të vetmin merak, ruajtjen e numrit 175 apo 180 të militantët e PS-së, grevistë të urisë, që prej ditës së djeshme ka qarkulluar mundësia e zëvendësimit të këtyre militantëve, me të tjerë grevistë urie. Në këto rrethana, kriteri i vetëm është respektimi i numrit 175 apo 180 dhe nuk kanë shumë rëndësi emrat.
Burime nga PS, duke konfirmuar këtë mundësi, bëjnë të ditur se po studiohet “formula” e zëvendësimit e “të pangrënëve” provizorë, me “të ngrënë” të tjerë. Diskutimet janë në pikën se si do të zëvendësohen militantët grevistë, të gjithë një herësh, apo pjesë-pjesë.