E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa popuj kemi?

26-09-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Shumëçka kemi dëgjuar nga disa politikanë: formulime, por jo, le të themi, çformulime; përcaktime, por jo, le t’i quajmë, çpërcaktime; sulmime, por jo, le t’i emërtojmë, çsulmime, e plot të tjera thënë kësisoj, përderi asisoj edhe flasin. Ashtu si në leksionet e materializmit, për të shfronësuar Zotin me ateizëm, u pat ngritur në qiell slogani më idiot, “njeriu sundon natyrën” (një cunam pak sekondësh, e pamë çfarë i punoi Japonisë së fuqishme e të tejzhvilluar), një parullë e keqe e  përsëritur gjashtë vjet me radhë e deri më tani, është “ne, populli opozitar”. Do të qe përgëzuese, nëse s’do të ketë më frymë për t’u shqiptuar prapë e prapë.
Nuk ka më koti se sa, gjërat që s’janë e s’mund të rrojnë, të rrekësh t’i jetësosh me përdhunë e përsëritje, sidomos me një politikë që mëtohet të cilësohet e re, për nxjerrjen e përfitimeve për pushtet. Kur u dëgjua së pari e më vonë “ne, populli opozitar”, atë e ndoqi pas e nuk iu nda pyetja sfiduese: atëherë, sa popuj kemi?
Dikur, popujt, sipas Biblës dhe Kuranit, kanë qenë sa një fis i madh ndaj, nëpër kohëra ka pasur mbi 140 000 profetë. Por, në kohët moderne, për arsye të politikës për pushtet, të mos i kthejnë shqiptarët  si në nisje të historisë së njerëzimit – emërtim e numërim popull i atyre që i vijnë rrotull, si anëtarësi a si votues, një drejtuesi politik.
Për padrejtësi historike  – populli shqiptar, me identitet të fortë gjuhësor, territorial e kulturor, u coptua dhe gati konceptohemi nga të tjerë, por edhe nga ca prej nesh, si popuj gjeografiko - politikë: Populli shqiptar – ky i Shqipërisë. Populli kosovar – ai i Kosovës (që nga çlirimi më 1999 dhe pavarësimi më 2008). Populli maqedonas - shqiptar. Populli çam, ca në Shqipëri e ca në Greqi. Populli i Luginës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc). Populli malazez -shqiptar. Plot gjashtë popuj nga një i vetëm.
E majta në opozitë, pas vitit 2005, kur në krye të Partisë Socialiste u vu  Edi Rama,  ndoqi dy parrulla kryesore për pushtet, asaj rruge që kryetari e emërtoi politikë e re: “Përtej së majtës dhe së djathtës”, që binte në kundërthënie me parullën ndjekëse, “ne, populli opozitar”. Ky përcaktim i shqiptuar deri në pa numërim nga kryetari, partia nuk e bllokoi nga brenda, por u përsërit konferencave për shtyp, tribunave e mitingjeve, nga figura të dyta, të treta e deri poshtë nëpër anëtarësi. Por, asnjë parti tjetër, e madhe a e vogël, nuk e gjykoi të gjetur, nuk e përshtati si të vërtetë, madje e qesëndisën, sidomos e shpërfillën. Kjo qe mirë, sepse ky mendim për shtimin e popujve me coptim partiak, për efekt politiko - psikologjik ndaj kundërshtarit, gjasme jemi aq shumë sa përbejmë popullin e njëmendtë, po të kishte prekur edhe parti të  tjera, atëherë në Shqipëri, sipas rezultatit të votimeve të fundit, do të kishim këta popuj: 1. Ne popull opozitar, 2. Popull pozitar, 3. Popull lesëist, 4. Popull republikan, 5. Popull bdiuist, 6. Popull demokracisocial, 7. Popull të drejtash njerëzore. Pjesa tjetër, mbeten pakica aq të vogla sa, i bie që, ndër to, të ketë vetëm “profetë pa popull”.
Kështu, politikës së majtë në opozitë, nuk i duket tepër përpjekja për tjetërsim i popullit nga  shqiptar në kosovar; nuk i duket keq emërtimi maqedonas i atyre që janë shqiptar; nuk u duket boll mbetja e shqiptarëve në Serbi që po thirret edhe popull i Luginës; ata të Çamërisë përmenden herë si ekzotikë të historisë e herë thirren të ndëshkuarit e barbarisë greke; ata të Malit të Zi janë fare pak brenda shtetit krejt  të vogël, me popull edhe më të paktë. Politika “ne, populli opozitar” u është shërbyer shqiptarëve këtu, për të pagëzuar “sallatën e popujve politikë”, të cilët,  po të jetë se vërtetë do të emërtoheshin mbi konceptin e asaj parrulle të keqe, atyre  do t’u ndryshonte emri fushatë më fushatë, sipas  përqindjeve  që marrin dhe nga emigrimi i votuesve nga njëra parti te tjetra.
Kur dëgjon për “kursin e ri” të opozitës socialiste, duhet parë çfarë të vjetrash mbartin. Dhe, nga vjetërsirat më vjetërsirë, që duhet braktisur e harruar është parulla “ne, populli opozitar”, të cilës,  përsipër i  kanë  vënë  edhe zhguallin 2B, ose Bojkot – Bllokim, për të nxjerrë përfitime përmes dëmtimit të Shqipërisë. Por ka një ligjësi universale të së drejtës, edhe kur ajo vonon:  kush dëmton për fitore, zhdëmton me humbje.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›