E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni: Komunistët dhe postkomunistët nuk më ndalin dot

26-09-2011 / Nga Ilirian Dahri

Një president i Këshillit të Ministrave të Italisë i motivuar më shumë se kurrë për të vazhduar përpara  në qeverisjen e tij. Silvio Berluskoni edhe njëherë tjetër ka siguruar me fjalët e tij votuesit e djathtë, se qeveria “do të ecë përpara dhe do të bëjë reformat që italianët kërkojnë, të cilat janë të nevojshme për modernizimin e vendit: gjatë javës do të jetë gati dekreti për rritjen”. Në të njëjtën kohë për të gjithë ata që shpresonin në një dorëheqje të mundshme të tij, Presidenti i Këshillit të Ministrave Silvio Berluskoni ka shtuar se: “Çdo ditë, kërkohet nga komunistët dhe postkomunistët, që qeveria të bëjë një hap prapa. Po duhet të jenë të qetë, nuk mund të shkojmë pas dëshirave të mediave dhe të opozitës, nuk do të dorëhiqemi veçse pas një vote mosbesimi në Parlament të cilën e përjashtojmë. Do të ecim përpara sepse kemi një maxhorancë të fortë, që më në fund do të bëjë ato reforma, nga ajo e drejtësisë  tek ajo e arkitekturës së shtetit”. Kështu ka deklaruar dje (nëpërmjet linjës telefonike) Presidenti i Këshillit të ministrave të Italisë Silvio Berluskoni në festën rajonale të zhvilluar në Cervere. Natyrisht Berluskoni ka pohuar se fajin nuk e ka vetëm opozita duke vazhduar se maxhoranca “është më e vogël se ajo me Finin, por sidoqoftë më e fortë dhe mund të bëjmë reformat e nevojshme duke nisur me reformën e drejtësisë dhe reformën institucionale të shtetit”.
Këto reforma ka pohuar Berluskoni janë që prej vitit 1994 në programet e të djathtës por që nuk janë bërë sepse “në maxhorancën tonë ka patur persona që i kanë kundërshtuar. Nëse kemi ndonjë gabim është pikërisht ai që nuk kemi arritur kurrë të kemi për Polin e lirisë 51% të votave. Na është dashur të formojmë koalicione dhe në këto koalicione kishte personazhe të cilët nuk na kanë lejuar as të paraqisnim reformën e drejtësisë në Parlament”. Gjithsesi edhe pse në një moment të vështirë të qeverisjes së tij, më një krizë planetare që nuk ka kursyer asnjë vend të Bashkimit europian dhe si rrjedhojë edhe Italinë, fjalët e Berluskonit kanë dëshmuar edhe njëherë se qeveria italiane e qendrës së djathtë kërkon të ecë përpara në rrugën e saj. Nga ana tjetër situata nuk është nga më të mirat. Emma Marçegaljia (Presidente e Konfindustrisë italiane) në Asamblenë e Konfindustrisë ka deklaruar se në ditët në vijim do të ketë një manifest për firmat e vogla dhe të mëdha me qëllim shpëtimin e Italisë. “Është një dokument që nuk ka asgjë për firmat, do ta paraqesim për Italinë, sepse vendi ka nevojë për të rikuperuar besueshmëri dhe për t’u rritur”. Në të njëjtën kohë, kjo deklaratë duket si një ultimatum që i drejtohet politikanëve italianë sepse Konfindustria kërkon reforma të vërteta dhe sipërmarrësit italianë nuk e pranojnë faktin se janë më pak të besueshëm se spanjollët, në një kohë kur Italia është vendi i dytë europian për manifakturën dhe eksportuesi i dytë (pas Gjermanisë). Por kërkesa apo ultimatumi i Konfindustrisë italiane nuk i drejtohet vetëm politikanëve italianë por edhe atyre europianë dhe sidomos lidershipit europian. “Pas dy vjetësh nuk është zgjidhur ende problemi i Greqisë, nuk mund të ekzistojë një monedhë e përbashkët pa një politikë të përbashkët dhe një bilanc federal” – nënvizojnë përfaqësuesit e Konfindustrisë, duke vazhduar më tej se: “Edhe takimi i fundit i G7 u mbyll pa zgjidhur asnjë problem. Duhet të ecet përpara, në të kundërt ajo që kemi bërë deri tani rrezikon mos të qëndrojë më në këmbë”. Fjalët kryesore që përmend Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Silvio Berluskoni, reforma por sidomos dëshira për të ecur përpara e shfaqur si nga ana e Presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë po aq edhe nga përfaqësuesit e Konfindustrisë italiane tregojnë një koezion të palëve për të dalë nga kriza.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›