E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmija i parë i 2012-ës është djalë. Urojnë Topi e Berisha

TIRANË - Është djalë fëmija i parë i vitit 2012, i cili erdhi në jetë, vetëm një minutë pas ndërrimit të viteve.
Foshnja erdhi në jetë në orën 00.01 minuta të mëngjesit të së dielës në spitalin Obstetrik Gjinekologjik të qytetit të Durrësit. Djali gëzon shëndet të plotë, gjithashtu edhe nëna e tij.

Edhe në Tiranë bebja e parë e 2012-ës është djalë. Foshnja lindi në maternitetin Koco Gliozheni, dhe gjithashtu gëzon shëndet të plotë bashkë me nënën. Ai quhet Roan dhe peshon 3 kg e 200 gr, është i biri i prindërve Arjon dhe Adriana.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi uroi  qytetarët shqiptarë për Vitin e Ri 2012. Në një komunikim me mediat, pas vizitës që zhvilloi në martenitetin "Koco Gliozheni" në Tiranë, presidenti Topi u shpreh se, "dëshiroj t'iu uroj shqiptarëve, Gëzuar Vitin e Ri. Qoftë një vit i mbarë dhe i lumtur për të gjithë, në këtë vit të rëndësishm historik për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë". 

Një urim të veçante, kreu i shtetit i kushtoi dhe të porsalindurve. "Në këtë ditë të mrekullueshme me diell, besoj urimi shkon dhe për të porsalindurit, që të kenë jetë, shëndet, të rriten me ngrohtësi familjare për të qenë nesër qytetarë dinjitozë të Europes", tha Topi, i cili vizitoi në këtë martenitet, foshnjën e parë te ardhur në jetë kete vit, një djalë i seksit mashkull me peshë mbi 3 kg . 

Gjithashtu, presidenti Topi shprehu urime per personelin mjekësor, personelin ndihmës dhe forcat e rendit që ishin ne detyre natën e ndrrimit të viteve. 

Ndërkohë kryeministri Berisha uroi lindjen e foshnjës së parë të vitit 2012, në një vit të shënuar kur Shqipëria do të festojë 100 vjetorin e Pavarësisë së saj. Pas një vizite në maternitetin e Tiranës “Mbretëresha Geraldinë", kryeministri Berisha u shpreh se, "i uroj djalit nga zemra jetë të gjatë, të lumtur dhe të shëndetshme, së bashku me prindërit, vëllezër dhe motra të tjerë, sepse është fëmija e parë. Nënës i uroj shëndet, gëzime me fëmijë të tjerë dhe mbarësi në jetën e saj”. 

“I uroj Aleksandrit të festojë 200 vjetorin e Shqipërisë së Pavarur. Ai lindi në ditën e parë të 100 Vjetorit, urojmë që ai të festojë 200 vjetorin e Shqipërisë së Pavarur", tha Berisha. 

Shefi i qeverisë i uroi me ketë rast edhe foshnjen e lindur në maternitetin e Durrësit .
"Në Durrës lindi fëmija e parë në Shqipëri, edhe atij i uroj nga zemra shumë shëndet, gëzime prindërve të tij, uroj që edhe ai të festojë 200 vjetorin e Shqipërisë së Pavarur, tha Berisha. 

“Fjalët që më erdhën në mend kur dëgjova për këto lindje ishin; lindën sot Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, pra i lindën Shqipërisë edhe një herë burrat më të shquar të saj", tha ai . 

Një mesazh urimi kryeministri Berisha bëri për çdo shqiptar, një vit plot mbarësi, shëndet dhe suksese, me urimin për një vit të madh për Shqipërinë.

Ndërsa në Kosovë fëmija e parë e 2012-ës është vajzë. Vajza nga Kosova ka marrë emrin Enea.
Vizitori i parë i kësaj vajze të 2012-ës ishte presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila veç urimeve, Eneas i solli edhe disa dhurata.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Ndërrimi i viteve, BalkanWeb uron: Gëzuar Vitin e Ri!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›