Fëmija vret veten se nuk kishte fëmijë

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Cfir të Mallakastrës. Viktima quhet Juliana Zenelaj, e cila edhe pse ende fëmijë, ishte e martuar prej dy vjetësh.
Policia e Ballshit tha se vajza ka gjetur vdekjen nga plagët e dy plumbave që kishte marrë nga një armë zjarri, pistoletë. Kjo armë ishte e vjehrrit të saj, i cili është punonjës i Policisë Pyjore të Mallakastrës.
Pasi ka këqyrur viktimën dhe ka marrë dëshmitë e familjarëve, ka dalë në përfundimin se 16-vjeçarja Juliana Zenelaj është vetëvrarë me armë zjarri.
"Jam pafat"
Banorët e fshatit Cfir, rreth 30 kilometra larg nga Ballshi, tregojnë se prej disa muajsh vajza kishte shfaqur shenja depresioni.
Ajo kishte humbur shëndetin dhe gëzimin e dikurshëm, për shkak të sëmundjes së bashkëshortit të saj. Ai vuante nga sëmundja e diabetit dhe përdorte në mënyrë të vazhdueshme insulinë.
Sëmundja e të shoqit kishte bërë që 16-vjeçarja të humbiste shpresën për të pasur një fëmijë, dhe kjo e ka bërë të bjerë në dëshpërim të thellë.
“Ajo shpeshherë thoshte se ishte e pafat. Kjo jo vetëm për gjendjen shëndetësore të bashkëshortit, por edhe të martesës së saj qysh në moshë të mitur”, tha një oficer i Policisë Gjyqësore, i cili ka pyetur të afërm të viktimës.
Konfirmohet se Juliana Zenelaj kishte lindur në fshatin Gjinoqarë dhe pa mbushur 14 vjeç, prindërit e kishin martuar, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.