E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimet, dyndje për gjimnazet me emër

Drejtuesit e shkollave: Nxënësit duhet të gjejnë një tjetër alternativë. MASH: Regjistrimet jo sipas preferencave

Radhë të gjata dhe orë të tëra në pritje për t’u regjistruar në gjimnazet më të preferuara të kryeqytetit, që janë “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Petro Nini Luarasi” apo “Qemal Stafa”. Kështu, me gjithë apelin e bërë pak kohë më parë nga drejtuesit e arsimit, se regjistrimet në shkolla nuk do të bëhen sipas preferencave, por sipas vendbanimit, gjatë gjithë javës që lamë pas oborret e gjimnazeve kanë qenë të mbushur plot me nxënës që kërkojnë ta ndjekin arsimin e mesëm në shkolla me emër. Të shoqëruar nga prindër ose jo, nxënësit presin në dyert e drejtorive të shkollave për t’u regjistruar në këto gjimnaze, çka ka bërë që situata të jetë disi kaotike nga dyndja. Përballë kësaj situate, drejtuesit e gjimnazeve “VIP” thotë se nxënësit duhet të gjejnë një tjetër alternativë. Një propozim, sipas tyre, është që të rinjtë të frekuentojnë edhe shkollat e mesme profesionale, pa mbipopulluar klasat në gjimnazet publike. Duke qenë se të gjithë rendin për t’u regjistruar në gjimnazet “Sami Frashëri”, “Petro Nini Luarasi”, “Ismail Qemali” apo “Qemal Stafa”, Ministria e Arsimit ka vendosur të mos tolerojë më regjistrimet e nxënësve në shkolla sipas preferencave, pasi kjo situatë ndër vite ka sjellë një boshatisje të klasave në disa shkolla, në veçanti në Tiranë, duke bërë që disa të tjera, të cilat cilësohen si më të mira për pasoje të kenë mbingarkesë në klasa e mësim me turne deri në orët e vona të mbrëmjes. Sipas drejtuesve të arsimit parauniversitar në MASH, kapaciteti i shkollave “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri” , “Qemal Stafa”, “Petro Nini” është i limituar, ndërkohë që mësuesit mund të jenë më të mirë në shkolla të tjera. “Këtë vit, me urdhër të ministrit, është ngritur një grup pune për të parë sesi është operuar vitet e kaluara. Sepse kemi raste të shkollave që nuk shfrytëzojnë kapacitetet dhe raste të shkollave që i mbikalojnë ato. Kemi mendimin që të lëmë një përqindje tolerimi 3-4 maksimumi 5%. Janë 23 klasa nëpër gjimnazet e Tiranës që rrinë bosh, të pashfrytëzuara as turn i parë dhe as i dytë”, - ka pohuar drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Ndërkaq, specialistët e arsimit tërheqin vëmendjen për datat e regjistrimit, në veçanti për ata që do të ulen për herë të parë në bankat e gjimnazeve. “Nuk mjafton vetëm regjistrimi i emrit në një shkollë të caktuar, por duhet të plotësojë një formular që shkolla të marrë masa për përgatitjen, ndarjen e klasave, ofertat që i jepen, për interesat që kanë fëmijët, kështu që domosdoshmërish periudha e regjistrimit të gjimnazit fillon jo më vonë se 1 shtatori dhe mbaron në datën 9 shtator”, - theksojnë specialistët. Këtë vit, sistemi parauniversitar është parashikuar të nisë një javë më vonë krahasuar me një vit më parë, pikërisht në datën 12 shtator.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›