Fëmijët e verbër rrihen nga mësuesit, nuk reagon askush, i drejtohen ambasadorit amerikan
Emisioni Fiks Fare ka transmetuar fakte rrënqethëse se si abuzohet me fëmijët që nuk shohin në shkollën e tyre të posaçme Ramazan Kabashi. Por edhe pse një nga emisionet më të ndjekura në vend ka ngritur këtë shqetësim, sërish askush nuk e vuri ujin në zjarr. Atëherë fëmijët menduan, (siç ndodh rëndom në këtë vend), ti drejtohen ambasadorit amerikan me një letër. Më poshtë pjesë nga letra:
Kemi ngarkesë mësimore të madhe. Bëjmë çdo ditë nga 6, madje7 apo 8 orë në ditë. Kur vjen shtatori, ne nuk gëzojmë si gjithë nxënësit e tjerë, sepse na mungojnë librat dhe pajisjet e tjera speciale për ne, që nuk shikojmë. Në shkollë, nga disa mësues abuzohet edhe me disiplinën në orën e mësimit. Jemi nën dhunën fizike dhe psikologjike të disa prej mësuesve e punonjësve të tjerë të institutit. Sa herë që ne guxojmë të ngremë zërin për të drejtat tona, kërcënohemi duke na thënë se kush ju mëson dhe nuk merren me zgjidhjen e problemeve e shqetësimeve tona. Drejtori i shkollës kërcënon: Ju këpus zverkun, ju pres gjuhën e ju thyej kaptinën. Se ju jeni kriminela e derra. Kujdestari vazhdon: Ju heq kokën, ju hedh nga kati i tretë, ju përjashtoj nga shkolla. Disa mësues na dhunojnë si psikologjikisht, ashtu edhe fizikisht. Në këtë botë të madhe ne shohim se gjërat vijnë e përmirësohen, kurse te ne ato vijnë e përkeqësohen. Në vitet e shkuara ka pasur nxënës që e kanë braktisur shkollën duke thënë se këtu është si burg. Meqenëse thirrjet tona po bien në vesh të shurdhër, ne fëmijët e verbër ju drejtohemi ju, pasi ju përfaqësoni vendin kampion të mbrojtjes së të drejtave në botë. Ju lutemi të paktën të na dëgjoni ju e na ndihmoni.