E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët në kopsht, tekste dhe metoda të reja edukimi

TIRANE-Ministria e Arsimit fut metoda të reja për edukimin e fëmijëve në kopshte. Tekstet e reja që do të përdoren nga edukatoret për moshat nga 3 deri 5 vjeç, parashikojnë që përveç njohurive e dijeve të para, të fokusohen edhe tek lojërat, për një zhvillim edhe më të mirë motorik të fëmijëve.

“Ky është libri që u përfundua dhe u është shpërndarë tashmë të gjithë mësuesve të ciklit të parë, titulli i të cilit është ‘Hapat e parë’. Në këtë udhëzues- metodikë, mësuesja e kopshtit udhëzohet se si në mënyrë të integruar mund të zhvillojë veprimtarinë edukative në kopsht. Është një ndër librat që për herë të parë prodhohet si i tillë, i cili mbështetet në kurrikulën ekzistuese, në programin ekzistues për kopshtin, në standardet e rritjes së fëmijëve sipas grupmoshave dhe në standardet e përmbajtjes”, - thotë Pranvera Kamani, drejtore e Arsimit Parauniversitar në MASH.

Në metodat e reja që janë hartuar me konsulencë ndërkombëtare, janë parashikuar për herë të parë edhe rubrika të veçanta për fëmijët me aftësi të kufizuar si dhe ata që vuajnë nga autizmi. Ndërkaq, përparësi po i jepet edhe trajnimit të edukatoreve. Të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se mbi 80 për qind e fëmijëve 3-5 vjeç frekuentojnë ciklet e parashkollorit. Këtu përfshihen edhe fëmijët e zonave rurale, të cilat ndoshta jo në kopshte të mirëfillta janë të përfshirë në klasa të krijuara posaçërisht brenda shkollave 9-vjeçare.

(d.b/ErmelindaHOxhaj/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›