Milo dhe Gjinushi, negociatat, deputetë me PS, po shkrin partitë
TIRANE- Mungesa e kreut të PDS-së Paskal Milo dhe socialdemokratit Skënder Gjinushi në tryezën e koalicionit, nuk kanë qenë të rastësishme. Burime nga Partia Socialiste pohojnë se të dy aleatët vazhdojnë të këmbëngulin për të qenë pjesë e listës së PS-së për deputetë, ndërsa ende nuk kanë marrë një aprovim pa kushte nga kryesocialisti. Madje aleatët e tij, Milo e Gjinushi, përveç një vendi të sigurt në listat e PS-së për deputetë, kërkojnë dhe një post ministri në qeverinë e ardhshme. Por mësohet se kryesocialisti nuk i është përgjigjur kësaj kërkese, ndërsa i ka dhënë një opsion për t’i përfshirë ata në listat e PS-së. Kryesocialisti i ka kërkuar Milos dhe Gjinushit që nëse ata do të jenë kandidatë për deputetë në listat e PS, pas 23 qershorit ata duhet të shkrijnë partitë e tyre dhe të jenë pjesë e Partisë Socialiste. Ky propozim i Ramës duket se ka ngrirë dhënien e përgjigjes “Po” ose “Jo” nga ana e aleatëve të PS, ndërkohë që kanë mbetur dhe tri ditë nga depozitimi në KQZ i koalicioneve zgjedhore. Të paktën tri vende në listat e kandidatëve të Partisë Socialiste ka kërkuar dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, si një nga kushtet e daljes nga koalicioni qeverisës dhe afrimit me PS. Por, pak ditë më parë, Ilir Meta, gjatë një interviste në “Top Story”, tha se LSI do të dalë me listën e vet në të gjithë vendin, dhe nuk ka ndër mend të hartojë lista të përbashkëta me PS. Kjo deklaratë e Metës në kampin opozitar është lexuar si një veprim taktik i LSI-së për të shuar tensionet dhe kërkesat e aleatëve të tjerë si Milo, Gjinushi apo dhe ndonjë tjetër, për të qenë në listat e PS-së. Kërkesat e tyre i janë bërë publike Edi Ramës shumë kohë përpara se ai të zyrtarizonte bashkëpunimin parazgjedhor me LSI-në, ndërsa afrimi i LSI-së duket se i ka prishur planet e tyre për të luajtur një rol më të fortë në koalicionin opozitar. Milo e Gjinushi i kanë mbështetur pretendimet e tyre me faktin se kanë qenë aleatët më besnikë të PS-së në tetë vite opozitë dhe pse ofertat nga maxhoranca aktuale nuk kanë munguar vazhdimisht. Gjithashtu, sipas tyre, Rama ka detyrime ndaj aleatëve të tij edhe për shkak të Kodit Zgjedhor, i cili nuk i përkthen në mandate votat që ata marrin në të gjithë vendin.
ALEANCA
Pa asnjë rezultat janë dhe negociatat me Aleancën Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut. Në takimet e bëra me kreun e AK, ai i fundit ka qenë më i nxehti. Mësohet se Spahiu i ka kërkuar Ramës që si kusht për të qenë në koalicion me socialistët, të përfshijë në listat e PS-së pesë emra të AK-së në vende të sigurta. Sipas Kreshnikut, Aleanca Kuq e Zi është tashmë një parti e konsoliduar dhe me mbështetje të madhe, që do t’i sillte koalicionit opozitar jo vetëm vota, por dhe frymën antiregjim. Spahiu mësohet t’i ketë treguar Ramës se AK numëron me dhjetëra mijëra mbështetës edhe në qytetet e vogla të Shqipërisë, si Kavaja, Lezha, Dibra, Gjirokastra etj., dhe për këtë ai duhet të ketë deputetë të sigurt për Parlamentin e ardhshëm. Mësohet se Rama nuk e ka pranuar këtë kërkesë të Spahiut, duke i çuar negociatat mes tyre në një rrugë të pasigurt. Por edhe me PBDNJ-në e Vangjel Dules negociatat e Ramës nuk kanë asnjë përparim. Edhe pse nuk kanë munguar takimet mes tyre, ata mbeten ende larg arritjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi parazgjedhor. (Shkrim nga: ARISTIR LUMEZI)
(e.m/panorama/BalkanWeb)