E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët romë, të rrezikuar nga epidemitë

Fushatat e vaksinimit nga ana e institucioneve shëndetësore duket se nuk kanë dështuar mbi popullsinë rome. Sipas autoriteteve të shëndetësisë në Fier, mësohet se fëmijët romë janë shtresa më e rrezikuar nga prekja e epidemive, të cilat në shumë raste janë edhe vdekjeprurëse. Në pothuaj 90 për qind të rasteve, romët e Fierit neglizhojnë kryerjen e vaksinave të detyrueshme në moshat e vogla. Sipas shefes së sektorit epidemiologjik, në Drejtorinë e Shëndetit Parësor, Anila Moçi, pjesa më e madhe e fëmijëve romë është krejt e pa vaksinuar dhe e zbuluar ndaj sëmundjeve të ndryshme dhe të rrezikshme si lija, tuberkulozi, sifilizi etj. "Një nga arsyet kryesore që kjo popullsi nuk i kryen vaksinat për fëmijët e tyre të moshës nga 0-14 vjeç është migrimi", ka pohuar Moçi. Ajo shton se punohet me grupe të vogla shtëpi më shtëpi, por hasen vështirësi për shkak të natyrës lëvizëse të kësaj popullsie. Por mbi të gjitha, nga fakti se "vetë prindërit nuk na lejojnë që të kryejmë vaksinat, duke protestuar ashpër kur ne shkojmë me detyrim", pohon Moçi. Epidemiologia tregon se prindërit romë kanë frikë ndaj vaksinave dhe shpesh i cilësojnë si të rrezikshme kundrejt shëndetit të fëmijëve të tyre, pavarësisht se është e kundërta. Gjithsesi, sipas informacioneve të marra nga Drejtoria e Shëndetit Parësor, ndërsa në vitet e kaluara më shumë se 80 për qind e numrit të përgjithshëm të fëmijëve romë ishin të pa vaksinuar, këtë vit kjo shifër është ulur. Komuniteti rom në Rrethin e Fierit zë një përqindje të konsiderueshme. Ai është i përqendruar më shumë në Levan, Baltëz, Zhupan, Drizë, Roskovec, Mbrostar etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›