E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat shqiptare po "ecin" kundër rrymës, shmangin krizën

Kriza që ka përfshirë ekonominë botërore dhe që është shfaqur kryesisht me rrënimin e bankave, është reflektuar krejt ndryshe në Shqipëri. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë mbi sistemin bankar, gjatë muajit të fundit të vitit 2008 dhe muajit të parë të 2009-ës, depozitat në banka janë rritur ndjeshëm. Ndërsa ekspertët i druheshin një dyndjeje të njerëzve drejt bankave për të tërhequr depozitat, gjë që ka ndodhur në shumë vende me ekonomi më solide se e jona, në Shqipëri ka ndodhur e kundërta: depozitat janë shtuar, madje ndjeshëm.

Depozitat

Depozitat e familjeve shqiptare zënë 96 për qind të totalit të depozitave në banka, ndërsa pjesa tjetër i takon biznesit dhe një pjesë modeste shtetit. Në tërësi, janë rreth 625 miliardë lekë në banka, kursime të familjeve, bizneseve dhe enteve shtetërore. Nisur nga shuma del se çdo shqiptar duhet të ketë të paktën një depozitë prej rreth 210 mijë lekësh në bankë ose rreth 2.2 mijë dollarë. Duket e habitshme, por në fakt mesatarja e nxjerrë në bazë të totalit mbi numrin e popullsisë tregon rezultatin, i cili në jetën e përditshme nuk është kështu.

Shifrat

Ministria e Financave ka publikuar së fundmi disa të dhëna që i takojnë sistemit bankar. Këtu mësojmë se në muajin nëntor, tregu bankar në vend nuk ka përjetuar momente pozitive. Nga bankat mësohet se janë tërhequr rreth 160 milionë dollarë. Në periudhën e fundit të vitit, individët zinin nivelin më të lartë të depozitave pa afat në lekë, me rreth 47.7 për qind, ndjekur nga sektori privat, me rreth 41 për qind dhe nga ndërmarrjet publike jofinanciare, me 8.6 për qind. Individët dhe sektori privat ishin gjithashtu burimi më i rëndësishëm i depozitave në monedhë të huaj, përkatësisht me rreth 74.6 për qind dhe rreth 20.7 për qind. Familjarët ishin dukshëm burimi më i rëndësishëm i depozitave me afat në lekë (96.1 për qind e totalit).

Familjet

Në përgjithësi, familjarët përbëjnë pjesën më të madhe, me rreth 502 miliardë lekë, të depozitave totale, të cilat janë rreth 625 miliardë lekë. Ata ndiqen nga sektori privat me rreth 99.3 miliardë lekë, ndërmarrjet publike jofinanciare me 17.2 miliardë lekë dhe autoritetet lokale me rreth 2.8 miliardë. Institucionet financiare kontribuuan me rreth 3.8 miliardë në totalin e depozitave. Gjatë muajit nëntor 2008, krahasuar me një muaj më parë, tetor, niveli i përgjithshëm i depozitave u ul me rreth 160 milionë dollarë, si rezultat i rënies së depozitave në valutë dhe atyre në lekë. Depozitat në valutë gjatë muajit nëntor janë mbështetur kryesisht nga depozitat e sektorit privat, të cilat kanë përbërë rreth 74.6 për qind të depozitave totale në valutë. Por Banka e Shqipërisë deklaron se në muajin dhjetor dhe tani në janar, situata ka ndryshuar në favor të sistemit bankar, me rritje të ndjeshme të depozitave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›