E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët shqiptarë të pambrojtur nga pedofilia e pornografia

Me rastin e kësaj dite, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/DCI Shqipëri), kërkoi që përveç festave, politika dhe drejtuesit e institucioneve të tregojnë se çfarë kanë bërë për fëmijët dhe si i kanë mbrojtur të drejtat e tyre!

“Sot fëmijët anembanë Shqipërisë, sidomos fëmijët e varfër, fëmijët që jetojnë me ndihmë ekonomike, që janë të braktisur e të neglizhuar nga familjet e tyre, fëmijët që për të mbijetuar lypin, vjedhin apo shesin trupin e tyre, duan të dinë se kush i mbron të drejtat e tyre!”, thuhet në reagim. Kjo qendër parashtron një sërë çështje, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien fizike dhe psikologjike të fëmijëve, për të cilat instancat shtetërore, zyrtarët publik dhe komuniteti në tërësi, duhet të marrin masat e nevojshme.

Kjo Qendër kërkon që të hartohet një legjislacion i ri për mbrojtjen e fëmijëve nga pornografia “Gjatë vitit 2011 pranë ALO 116 janë referuar 16 raste ku fëmijët janë ndeshur me postime të pahijshme, me kërcënime, ofendime, shantazhe dhe ftesa për tu bërë pjesë të faqeve me përmbajtje pornografike. Dita ditës numri i rasteve të raportuara shtohet, tregues ky që fëmijët shqiptare po ekspozohen çdo ditë e më tepër ndaj pornografisë, sidomos asaj në internet”, thuhet në reagim. Gjithashtu, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, thekson se fëmijët në Shqipëri kanë qenë, janë dhe vazhdojnë të jenë të pambrojtur nga pedofilia. “Rasti i djalit 9-vjeçar nga Korça, i cili, sipas raporteve në media, u shfrytëzua nga daja i tij për qëllime përfitimi duke ofruar shërbime seksuale, është një tregues i frikshëm se mirëqenia e fëmijëve rrezikohet seriozisht nga të rriturit dhe njëkohësisht ngre dyshime mbi ekzistencën e një rrjeti të organizuar pedofilie në vend. Deri më sot organi i Prokurorisë ka heshtur duke mos dhënë asnjë informacion mbi përmasat dhe personat e përfshirë në këtë fenomen”, thuhet më tej.

Qendra sjell edhe shqetësimin e humbjes së disa fëmijëve si të Bleona Matës dhe Mateo Bejaj, ku kërkimet për ta deri më sot nuk kanë dhënë asnjë rezultat. “Ne duam të shprehim mbështetjen tonë të vazhdueshme për familjet e tyre dhe Policinë e Shtetit, duke kërkuar publikisht intesifikimin e kërkimeve për gjetjen e tyre. Linja e Këshillimit për Fëmijët- ALO 116 është në dispozicion falas 24 orë në 7 ditë të javës, nëpërmjet numrit 116 000, ku çdo qytetar, mund të raportojë në mënyrë anonime, nëse beson se ka të dhëna të mjaftueshme për të lehtësuar kërkimin apo mund të informojë mbi rastet”, vijon.

Edhe keqtrajtimi fizik dhe psikologjik i fëmijëve në shkollë dhe familje vazhdon të mbetet ndër shkeljet kryesore të të drejtave të tyre. “Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë pa një ligj që ndalon përdorimin e dhunës ndaj fëmijëve. ALO 116 raporton se gjatë vitit 2011 më shumë se 1273 raste i referohen dhunës ndaj fëmijëve. Po ashtu, të dhënat paraprake të fazës pilote të Studimit Epidemiologjik mbi Abuzimin e Fëmijëve në Shqipëri tregojnë se 52% e fëmijëve janë të ekspozuar ndaj sjelljeve të dhunshme, 73% raportojnë eksperienca të abuzimit psikologjik, 31% e fëmijëve raportojnë neglizhim të prindërve apo kujdestarëve gjatë fëmijërisë, 66% kanë pësuar abuzim psikologjik dhe 16% e tyre raportojnë forma të abuzimit seksual”, thuhet më tej.  /Start/

                                                                                             2012-06-01 10:07
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›