E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femra në Kosovë: faktor apo dekor

Pozita e femrës në Kosovë ka dekada që është çështje e diskutuar shoqërore e politike. Madje edhe në kohën e sistemit njëpartiak socialist, autoritetet e kohës në Kosovë kanë bërë përpjekje për emancipimin e gruas dhe përfshirjen e saj në rrjedhat shoqërore. Përpjekja ka përfshirë nxjerrjen e femrave nga mbulesat tradicionale. Bindjen e familjeve patriarkale që vajzat e tyre të vijojnë shkollën, po edhe shtytjen e hapjes së më shumë vendeve të punës për femrat.

Derisa progresi i nisur ka shënuar arritje të larta deri më sot, krahasuar me situatën e para disa decenieve, ndërsa në kohën e rezistencës femra kosovare është dalluar për kontributin dhe sakrificën, qoftë në aktivitete politike e shoqërore, qoftë në luftë, sot kemi një situatë kur ende dëgjohen zëra që theksojnë se, me gjithë ligjet dhe deklarimet politike për barazi, femra në Kosovë nuk është e barabartë me mashkullin, shkruan Koha Ditore.

Raportet e shpeshta për dhunën në familje, shembull, tregojnë se ende ka segmente të shoqërisë në Kosovë që femrën e shohin vetëm si qënie që duhet t’i nënshtrohet burrit dhe detyrave si nënë dhe shtëpiake, ndërsa ekstremistët fetarë kërkojnë kthimin e femrës në mbulesë.

Sociologët kanë dilemma sa i përket përfaqësimit të gruas në shoqërinë kosovare. Sipas tyre, nëse përfaqësimi I gruas në politikë bëhet vetëm sa për t’i dhënë sharm demokracisë, atëherë ky përfaqësim politik dhe pushteti që zotërohet nga to, konsiderohen vetëm si dekor dhe asgjë më shumë.

Përkundër përfshirjes së përspektivës gjinore në infrastrukturën ligjore, prapë se prapë traditat dhe zakonet janë më të fuqishme sesa ligji.

“Ky është mentalitet kanunor. Ka shumë gra në Kosovë që nuk e dinë se ligjërisht mund të kenë pronën që u takon. Ose për shkak të mentalitetit gratë në Kosovë heqin dorë për të mos humbur “opçinën”, siç ne e quajmë”, ka thënë socioloia Sibel Halimi.

Mëgjithatë, numri i të punësuarave femra në institucionet publike apo private në Kosovë ende nuk është në proporcion me përqindjen gjinore të popullësisë.

Ligjëruesi i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Shemsi Krasniqi, thotë se në krahasim me të kaluarën, sot femra kosovare është në pozitë më të volitshme. Por për të qenë në pozitë me burrin, sipas tij, akoma do punë.

“Koha jonë ka ofruar disa lehtësime ( shkollimi, lëvizja e lirë, punësimi, teknologjia, infrastruktura fizike, ligjore, etj), por njëkohësisht ofron edhe disfavore, sfida dhe rreziqe të reja ( rrjetet kriminale, konkurrenca dhe garat e ashpra për treg e për pushtet, strese e trauma, diskriminime sociale, mentalitetet anakronike dhe aspektet e tjera problematike), të cilat e vështirësojnë pozitën e gruas. Prandaj nevojiten përpjekje shtesë të shoqërisë për të përmisuar pozitën e femrës”, ka thënë Krasniqi./Koha Ditore/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›