E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat dhe kompleksiteti i virgjërisë në ditët e sotme



Tradicionalisht, e virgjër quhet dikush që nuk ka kryer aktin seksual. Edhe pse sipas kësaj dhe meshkujt quhen të virgjër para se të kenë kryer aktin seksual, trysnia kryesore për të qenë e virgjër ushtrohet sidomos mbi femrat. Sot, në lidhje me virgjërinë hasen trysni kontradiktore. Ideja e virgjërisë është e vjetër. Grekët dhe romakët e lashtë e përdornin këtë term për t’iu referuar një gruaje (apo një perëndeshe), që ishte e pavarur, e vetme dhe e pazotëruar nga ndonjë burrë. Më vonë filloi të përdorej për t’iu referuar vetëm virgjërisë seksuale dhe, për ironi, për të pasqyruar imazhin mbizotërues të grave si pronë e burrave. Virgjëria deri në martesë garantonte që gruaja do të ruante nderin e familjes duke kaluar nga babai te burri, si një mall i papërlyer. Duke qenë se nuk kishte kontroll të besueshëm mbi lindjet, kjo garantonte edhe që foshnjat të lindeshin vetëm nga çiftet e martuara. Virgjëria është një koncept i gjerë, i cila vitet e fundit diskutohet shumë gjerë në ambientet e të rinjve. Një pjesë e mirë e tyre e shohin atë si një stad që duhet kaluar gjatë adoleshencës, për të mos hasur probleme emocionale më vonë. Ndërsa të tjerët e konsiderojnë virgjërinë “trofe” për femrën. Meshkujt e sotëm deklarojnë se preferojnë vajzat që kanë pasur eksperienca më parë, por kjo bie ndesh me numrin e madh të vajzave që paraqiten çdo ditë në dyert e maternitetit apo klinikave private për t’u rikthyer “të virgjra”.
Kur kundërshtojnë femrat
Femrat mund të zgjedhin të abstenojnë dhe të mos kenë marrëdhënie seksuale për shkak të frikës nga një sëmundje e transmetueshme seksualisht, për shkak të shtatzënisë, besimit fetar, edukatës që kanë marrë që nga lindja në familje ose thjesht ngaqë nuk janë gati. Për më tepër, ato mund të zgjedhin abstenimin, pasi janë të interesuara që të zhvillojnë pjesë të tjera të vetvetes, si aftësitë e tyre krijuese, intelektuale dhe atletike. Ato mund të shprehin intimitetin në mënyra të tjera joseksuale, nëpërmjet marrëdhënieve shoqërore dhe familjare. Sipas studiuesve, femrat duhet të jenë të lira të bëjnë seks apo jo, siç e gjykojnë ato më mirë. Seksi zakonisht sjell shumë ndryshime në marrëdhënien dhe jetën e njeriut. Duke qenë se shpesh kjo përbën një vendim të madh, është e arsyeshme të mendohet më parë, të diskutohet me personin me të cilin je e lidhur. E gjithë kjo mund të ndikojë në jetën seksuale.
Kënaqësia seksuale
Gratë i përjetojnë kënaqësitë seksuale në shumë mënyra: fizike, emocionale, shpirtërore, si dhe në aspektin intelektual. Mund të ndiejnë kënaqësinë e një përkëdheljeje të butë, një kërcimi erotik ose një orgazme që të bën ujë në djersë. Tradicionalisht, përshkrimet e studiuesve meshkuj fokusohen në ndjesitë e organeve gjenitale dhe në fazat e eksitimit (epshndjelljeve). Por erotika dhe kënaqësia janë shumë më tepër se kaq. Tingujt, pamjet, aromat dhe prekjet mund të ndezin ndjenjat seksuale, po ashtu si fantazitë. Erotika mund të bëhet një burim pozitiv energjie. Studiuesit dhe seksologët thonë se, “erotika nuk është vetëm ajo që ndodh në dhomën e gjumit, por është dhe trokitja në ndjenjat më të thella, në energjitë krijuese, të cilat depërtojnë në të gjitha aspektet e jetës sonë”. Duke ndarë përjetimet e tyre të kënaqësive, duke ditur edhe kufizimet me të cilat përballen, mund të shkohet drejt një mirëkuptimi më të madh dhe përmbushjes së erotikës së grave.

Tërheqja seksuale mes njerëzve
Cilët janë elementet që ndikojnë në tërheqjen seksuale mes njerëzve? A mjafton vetëkontrolli për të shmangur një kontakt shpirtëror apo fizik? Janë pikërisht hormonet ato që janë përgjegjëse për ndjenjat epshore që na zgjohen kur kemi pranë personat që dëshirojmë më tepër. Por edhe pse na zgjohen ndjenjat epshore, ne nuk turremi mbi to. Pse? Sepse është truri ynë që na dallon prej kafshëve, në mos të gjithëve, shumicën prej nesh. Rregullat e shoqërisë, mjedisi në të cilin jemi rritur, frika që kemi prej sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si dhe shumë sfida të tjera jetësore na kanë aftësuar që ta mposhtim, atëherë kur duhet, kërkesën natyrale për marrëdhënie seksuale. Madje, edhe kur ajo është shumë urgjente. Ja cilët janë faktorët që ndikojnë te tërheqja seksuale.
Aroma
Është faktori kryesor që na ndihmon për të zgjedhur partnerin. Dihet që çdokënd e karakterizon aroma e trupit të tij. Një aromë e këndshme do të ishte shumë më efikase sesa një pamje e bukur. Një tjetër detaj është edhe parfumi. Për shembull, mjafton që të parfumohesh me disa pika rreth qafës nga era e veçantë dhe kësaj nuk mund t’i rezistojë asnjë mashkull.
Veshja
Gruaja e veshur me të kuqe, të mbush me pasion. Me këtë ngjyrë, femrat shpesh fitojnë ftesa për takime, pasi meshkujt ndikohen shumë nga simbolizmi romantik i ngjyrave, instinktit primar dhe seksit në përgjithësi. Nëse do të bënit tuajën një veshje ku e kuqja të jetë protagoniste, atëherë suksesi është i garantuar.
Hormonet
Përderisa një femër tërhiqet nga një mashkull tip muskulor, nesër ajo mund të gjendet në krahët e një djali të sjellshëm, të tipit romantik. Kjo ndodh për shkak të hormoneve që shpesh i përcaktojnë dëshirat. Ashtu siç u përmend edhe më sipër, janë pikërisht hormonet që zgjojnë ndjesitë seksuale.
Stresi
Ndjenja e stresit është në një nivel të njëjtë ndikimi në trupin e njeriut, ashtu siç është tërheqja seksuale, por në drejtime të kundërta. Kur një mashkull është i stresuar, ai mundohet ta balancojë gjendjen e tij psikofizike duke tentuar t’i afrohet një femre dhe probabiliteti i mundësisë për të të ftuar një mashkull për një darkë romantike, është kur ai gjendet në situata të vështira, e jo në ato normale.
Epshi
Epshi është dëshirë kimike, hormonale dhe emocionale për të bërë seks. Në zemër të të gjithë këtij procesi kompleks është hormoni testosteron. Testosteroni është hormoni kryesor mashkullor. Ai nxit dëshirën për seks (libidos) tek burri dhe e shëtit atë drejt orgazmës. Si bëhet një djalë ose një burrë epshor? Fillimisht, duhet një fantazi seksuale që të zgjojë dëshirën për seks dhe të nxitë hormonet të shpërthejnë. Djali dëshiron të arrijë një orgazëm dhe kërkon të gjejë një partnere, që të bashkëpunojë me të për të arritur orgazmën. Kjo do të thotë se ai, në fund të fundit, kujdeset vetëm për veten. Epshi është egoist.
Dashuria
Dashuria, ashtu si edhe epshi, drejtohet nga hormonet. Përzierja e serotoninës, testosteronit, dopaminës, endorfinave dhe e lëndëve të tjerave kimike që qarkullojnë në trup e në tru në një kohë të dhënë, përcaktojnë përgjigjet fizike dhe emocionale të personit. Disa hormone nxisin, të tjerat frenojnë. Ato prekin ndijimet, mendimet dhe sjelljet tona. Hormonet, secili me kontributin e tij, vijnë në shtrat bashkë me ne. Çdo kimikat që rishfaqet, shton diçka të re në marrëdhënie.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›