E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devis Muka: “Aktrimin e dashuroj, piktura jeton me mua”



Izaura Ndoj
Me personazhet që ka vendosur në skenë ai ka sjellë për publikun karaktere të ndryshme dhe risi të reja, ku gjithmonë e më shumë vlerësohet për atë që ai sjell në teatër si një aktor i ri i skenës shqiptare. Aktori Devis Muka ka një karrierë të pasur artistike. Edhe pse është pjesë e brezit të ri të aktorëve që interpreton në skenë, ka sjellë para publikut personazhe nga më të ndryshmet për një periudhë të shkurtë kohore. Impenjimi kryesor për profesionin e tij është të punuarit pa fund, pasi përkushtimi ndaj këtij profesioni është një ndjesi e veçantë. Duartrokitjet dhe spektatorët janë gjithmonë dhurata më e bukur dhe emocioni më i madh për të. Në një intervistë për “Albania Weekend”, aktori rrëfen për emocionet në skenën teatrore, si dhe projektet artistike të mëtejshme. Fillimi drejt kësaj rruge të bukur ka qenë një shaka që në fund u bë një ëndërr e realizuar. “Pasioni drejt aktrimit ka qenë një shaka e bankave të shkollës sepse realisht periudha kur unë kam konkurruar ka qenë dyndja nëpër fakultete që mjaftonte të ngecnim diku”, - thekson Devis. Ka pak vite që interpreton në skenë dhe, pa dyshim, bën pjesë në atë brez aktorësh të rinj që sjellin një frymë të re në skenën e teatrit. Ky është aktori Devis Muka, i cili beson se me përpjekje dhe dëshirë mund të ecësh përpara. Dhe gjer tani motoja që ka ndjekur nuk i ka dalë keq.
Më tej, gjatë intervistës ai tregon për projekte dhe rolet më të spikatura që ka pasur gjatë këtyre viteve dhe për projektin më të fundit teatror ku iu besua një rol i vogël, por me shumë domethënie te “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” nga Luixhi Pirandelo. Aktorit solli për publikun personazhin komik të djaloshit të ri, për të cilin tregon se ka qenë një përjetim shumë i bukur në skenë dhe e konsideron këtë rol, si rolin më të dashur për të. “Momentin që u ndesha me rolin autori ndoshta dhe për arsyet e veta e kishte lënë pa rol fare, se ai ishte një rol aq i vogël, sa unë do ta shikoja më një lugë shumë të madhe për ta bërë rol”. Më tej ai thotë se “mua më pëlqejnë sfidat dhe kam marrë pjesë në shumë sfida artistike; ishte një rol që unë e pashë më shumë dashuri. Vetëm dashuria mund të nxjerrë një gjë që nuk ekziston dhe e ngjall. Këtë mendova që mund t’i ngjizja rolit për të arritur diçka. Se sa kam arritur, atë e di publiku. Në këtë moment që nuk po vendos më shfaqjen më ka marrë malli të vesh kostumin e personazhit që kisha. Sado që është një personazh i vogël ka atë ndërhyrjet e veta në shfaqje, por unë realisht e dua. Është gjë e mirë kur artisti dashuron profesionin tij dhe jo vetëm ta bëjë atë sepse ka për ta bërë”, - shprehet Muka. Më tej gjatë kësaj interviste ai na tregon më shumë për jetën e tij artistike, cilat janë emocionet që i fal skena dhe na zbulon dhe projektet në vazhdim.

Kush është Devis Muka për publikun shqiptar?

Devis Muka është një djalë 25- vjeç që jeton në Tiranë, me pasione që kanë të gjithë të rinjtë shqiptar. Devis është një i ri që përpiqet të shijojë rininë e tij dhe të realizojë pasionet e tij, jo duke i pritur ato por duke punuar dhe luftuar për to.

Si ka lindur pasioni drejt rrugës së artit, ka qenë dikush që ju ka shtyrë, apo ka qenë një pasion i lindur?

Pasioni drejt aktrimit ka qenë një shaka e bankave të shkollës sepse realisht periudha kur unë kam konkurruar ka qenë dyndja nëpër fakultete që mjaftonte të ngecnim diku. Në fakt unë pata fatin e mirë që në një bisedë krejt normale me një shoqen time të gjimnazit më tha që do konkurronte në Akademinë e Arteve. Dhe ai ka qenë momenti që pse jo të mos konkurroja dhe unë, të isha pjesë e Akademisë së Arteve të Bukura. E bukura dhe ironia e këtij vendimi ishte se të dy konkurruam ajo nuk fitoi dhe unë fitova me një përgatitje shumë të vogël. Përzgjedhja ime nga ana e komisionit mbase ishte ajo që ato panë tek unë atë që do vinte më vonë, një përkushtim për këtë profesion të bukur.

Me çfarë po merreni momentalisht?

Para ca kohësh u shfaqa me një kryevepër të Pirandelos, “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” në të cilin kisha një rol jo shumë të madh, por shumë pikant në mënyrën e interpretimit. Kjo tragjikomedi e Pirandelos do të vij në sezonin shtator-tetor në Teatrin Kombëtar. Aktualisht po punoj më regjisoren e re Orian Camaj, e cila pritet të sjell një performancë te veprave më të mira të Shekspirit dhe aty më është besuar roli i Hamletit.

Jeni pjesë e Festivalit të të Rinjve që organizohet çdo vit. Si mendoni çfarë risie sjell ky festival?

Festivali i të Rinjve është një shumë e mirë por dhe shumë e keqe në të njëjtën kohë. Shumë e mirë sepse krijohet një lloj vitrine për të gjithë artistë e rinj, për të gjithë regjisorët e rinj, skenografët, kostumografët, aktorët, më pak fjalë kontingjentin e ri artistik që Akademia e Arteve servir vit për vit ose më saktë ajo mini industri arti që kemi ne këtu në tiranë nxjerr çdo vit artistë. E keqja është pasi gjitha mekanizmat e shtetit për të vlerësuar dhe promovuar artin në Shqipëri kanë ngelur vetëm tek ai festival. Në një farë mënyre shteti lan duar më një mini buxhet që jep çdo vit për të krijuar një festival që nuk i përmbush të gjitha standardet dhe të gjitha kriteret për të shpërfaqur të gjithë artistët, të gjitha krijimet artistike që ndodhin në Shqipëri. Nuk mund të limitohet shteti me një shfaqje që i jep mundësin një regjisoreje të re sepse unë ju siguroj që Akademia e Arteve vit për vit nxjerr me dhjetëra regjisor, aktor, skenografë dhe të gjitha zhanreve të artit. Festivali i të rinjve është një festival i vogël me pak shfaqje që ekspozohen. Prandaj them që është e mirë dhe e keqe, i ka të dyja.

Si ka evoluar brezi i ri i regjisorëve dhe aktorëve në dy etapa të ndryshme?

Unë kam pasur fatin e mirë që kam punuar jo vetëm me dy brezat por me tre brezat. Unë jam një nga studentët e brezit të artë, sepse kam pasur nderin që kam pasur si profesor Birçe Hasko dhe realisht ai për mendimin tim i përket të gjithë brezave sepse është edhe i brezit të artë, të mesëm dhe brezit të ri. Ndryshim edhe ka ndonjëherë edhe s’ka por e mira është që të ketë, çdo brez sjell risit e veta, freskinë e vet, sjell konceptet e veta. E mira e brezit tonë që të gjithë duhet të arrijmë të rigjejmë ose risjellim në art gjërat që koha, sistemi nuk kanë bërë të ndalur në rrugën e artit. Në ndryshe nga brezi i vjetër kemi më shumë mundësi të vendosim një shfaqje dhe të promovojmë vlerat tona. E mira e aktorëve dhe regjisorëve në Shqipëri është se ne jemi goxha të mbushur me jetë brenda, goxha të mbushur me dramë, komedi dhe në fakt aq popull i vogël jemi po aq shpirt të madh kemi. Në kemi mori karakteresh, mori njerëzish, mori situatash dhe mori pasionesh që vlojnë në qytetin tonë.

Si e shikojmë Devisin mes filmit dhe teatrit?

Mangësia e Shqipërisë është që nuk ka një shkollë të vërtetë të aktorit të kinematografisë. Kjo është dhe një gjë e mirë pasi aktorët kur bien ndesh me kamerën me objektivin ndonjëherë janë dhe më të natyrshëm është një botë e re për ta dhe nuk e njohin. E mira e teatrit është të parit të dramës dhe të aktorit në shtatë dimensione, sepse teatrit ka atë fuqi të transmetimit të emocionit, të personazhit, të atmosferës dhe të gjithës. Çdo person që ulet në teatër shkëputet nga realiteti ku jeton dhe ngjizet aq fortë me atë pjesë që shikon aty sa vetëm teatri mund ta jap. Duhet të punojmë shumë fuqishëm për të arritur diçka dhe jo gjithçka.

Si nis dhe si përfundon dita juaj?

Përpos të këqijave që ka ky profesion jeta jonë është e mbushur me aq shumë aktor sa ne aktorët që kemi mbaruar për aktor është vështirë të gjejmë punë për aktor. Dita ime nis me një gjumë të thellë deri në orët e para të mëngjesit dhe ky është privilegji që ka gjithmonë aktori dhe shpesh herë e diskutojmë më kolegët. Gjatë ditës merrem me angazhimet dhe takohem me miqtë e mi dhe gjej rastin ti përshëndes pasi dita ditës po krijohet një brez i ri që po sjellin risi të reja në art, dhe një rigjenerim të koncepteve dhe ideve mbi teatrin, mbi regjin, mbi aktrimin dhe është një gjë e mirë pasi gjerat po lëvizin edhe pse ngadalë.

Ka ndonjë pasion të dytë për Devis Mukën?

Në fëmijërinë time jam marrë shumë me pikturë. Sado që e kam harruar e kam shumë të fshehur brenda meje por pikturën e kam pasur shumë pasion, ndoshta më ka lindur si një gjë që kishte thjeshtë të shkruar dhe duhet ta bëja. Që i vogël merrja lapsat dhe pikturoja dhe kjo gjë u vazhdua më tej me kurse dhe ushtrime të përditshme, por ngeci nuk e di se pse. Ndoshta shkolla, impenjimet, apo provinca e vogël ku unë jetoja nuk e kishte atë fuqi që unë të merresha me pikturë në atë gardë profesionale. Piktura ka lindur me mua dhe vështirë që të ikë pa mua.

Në këto pak vite keni spikatur me role të ndryshme. Cili rol ju ka lënë më shumë mbresa?

Në Shqipëri duke pasur pak hapësira artistike njerëzit këtu të shpërfaqin. Aq shpërfaqje sa ka mundësi një aktor për të dalë me një rol nuk janë të kualitetit të duhur. Aktorët për të pasur një lloj sigurie përpiqen të vendosin sa më shumë shfaqje, të bëjnë sa më shumë role. Nuk ka rëndësi se çfarë regjie ka, nuk ka rëndësi se çfarë dramaturgjie është, rolet janë bërë si një lloj haremi që thjesht ke kënaqësi ti shikosh. Në këtë harem me gjithë këto femra të bukura rrallë që të duash ndonjë nga ato që janë aty. Kjo gjë ndodh sepse këtu në Shqipëri ka shumë drama të përditshme, dhe nuk ka punë, nuk ka hapësira. Nga këto pak hapësira që ofrohen për aktorët nuk ka rëndësi roli. Aktorët sot e shikojnë rolin si një mënyrë mbijetese apo kapje për të mbijetuar apo për të qenë gjallë emri i tyre pavarësisht cilësisë së tyre. Unë kam pasur fatin që kam punuar që në shkollë me projekte të pavarura, edhe jashtë shkollës gjithmonë në teatër, por nuk mund të them që në të gjitha këto role që mua më janë besuar ti kem arrirë apo të gjitha vlejnë. Në një intervistë që i kanë bërë Entoni Kuin në fundin e karrierës së tij e pyesin për rolet që ka realizuar gjatë karrierës tuaj, dhe ai përgjigjet; ngre dy gishtërinjtë e dorës dhe në fund ngelen vetëm dy. Çfarë mund të them unë në këtë moshë që i kam bërë disa role në se i kam realizuar apo si kam realizuar, cili është më i veçanti e cili jo. Sot nuk është e vështirë të kapësh një rol, por ta realizosh atë. Roli më i bukur për mua s’ka ardhur akoma.

Roli që kishit te “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” çfarë ndjesie përcolli te ju?

E fuqishmja e Pirandelos është që nuk i ka vendosur në dy linja por në një linjë edhe komiken edhe tragjiken. Dinakëria e profesorit dhe regjisorit të shfaqjes Memet Xhelili ishte që këtë e perceptoi mirë dhe krijojë një grup goxha të mirë për ta sjell këtë dramë në skenën shqiptare. Rasti im konkret ishte një aktor i ri, e parë në vija të trasha ishte një personazh që unë nuk kisha vështirësi ta bëja sepse unë jam vetë një aktor i ri. Momentin që u ndesha me rolin autori ndoshta dhe për arsyet e veta e kishte lënë pa rol fare, se ai ishte një rol aq i vogël sa unë do ta shikoja më një lugë shumë të madhe për ta bërë rol. Në fakt mua më pëlqejnë sfidat dhe unë kam marrë pjesë në shumë sfida artistike dhe ishte një rol që unë e pashë më shumë dashuri. Vetëm dashuria mund të nxjerr një gjë që nuk ekziston dhe e ngjallë. Këtë mendova që mund ti ngjizja rolit për të arritur diçka. Sesa kam arritur atë e di publiku dhe unë në këtë moment që nuk po vendos më shfaqjen më ka marrë malli të vesh kostumin e roli aq shumë e dua atë rol si personazh. Sado që është një personazh i vogël ka atë ndërhyrjet e veta në shfaqje por unë realisht e dua. Është gjë e mirë kur artisti dashuron profesionin tij dhe jo vetëm ta bëj atë se ka për ta bërë.

Cilat janë projektet që do t’ju shfaqin gjatë muajve në vazhdim?

E mira dhe e keqja e profesionit tonë është se ne jemi aktorë të rinj dhe aktorë të lirë. Duke qenë aktorë të lirë ne nuk jemi asnjëherë të sigurt çfarë do vendosim në një sezon artistik. Nuk ka rëndësi çfarë do të bësh, por rëndësi ka çfarë po bën dhe a do bësh diçka. Është më mirë të vendosësh një rol në një sezon artistik dhe të kesh një vet kënaqësi profesionale që të paktën ke bërë diçka sesa të kesh një sezon me shumë shfaqje, me shumë filma dhe në fund të mos ndjesh kënaqësinë e publikut. Vetëm nga cilësia arti jonë mund të dalë nga një ngërç artistik që është kapur.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›