E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, procedurat e aplikimit për kandidatët që do të pajisen me “Celi 3”



Jonida Tashi

Kandidatët që do të pajisen me certifikatën e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3” kanë të drejtë të aplikojnë për në universitetet italiane për vitin akademik 2010-2011. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka publikuar ditën e enjte të kësaj jave rezultatet e provimit të 6 marsit, ndërsa kohë më parë janë nxjerrë edhe ato të provimit të nëntorit të vitit 2009. Sipas rezultateve që kandidatët kanë arritur në provim do të procedohet për pajisjen e tyre me certifikatën “Celi 3”. Aktualisht, Instituti Italian i Kulturës ka shpërndarë certifikatat “Celi 3”, të lëshuara nga Universiteti për të Huaj i Peruxhias, për 927 kandidatët që i janë nënshtruar provimit në nëntor të vitit të kaluar. Ndërkohë që ka filluar përgatitja e certifikatave për 1194 kandidatët që iu nënshtruan provimit në mars. Megjithëse në total numri i pjesëmarrësve në dy sesionet e provimit të njohjes së gjuhës italiane është 2121 kandidatë, pjesa më e madhe e të cilëve kërkojnë të pajisen me certifikatën “Celi 3” për të studiuar në Itali, jo të gjithëve do t’u jepet kjo mundësi.
Certifikata
Ambasada Italiane ka bërë të ditur se për t’u regjistruar pranë universiteteve italiane, duke filluar nga ky vit, është e detyrueshme certifikata e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3”, lëshuar nga Universiteti i Peruxhias në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Po ashtu, për të ndjekur universitetin në Itali është e nevojshme të kalohen të dyja provimet fakultative që janë të domosdoshëm për regjistrimin në universitetet shqiptare. Në përfundim të procesit të regjistrimit paraprak, pas datës 10 gusht do të publikohet kalendari i paraqitjes së studentëve për kërkesën e vizës. Në të njëjtën ditë, studentët do të tërheqin zarfin me dokumentet për regjistrim që do të duhet të paraqesin personalisht pranë sekretarive të universiteteve në Itali. Ambasada Italiane njofton se për lëshimin e vizës së studimit, të interesuarit duhet të paraqesin garanci bankare dhe qëndrimi në Itali përmes një llogarie bankare të mbyllur prej rreth 5000 euro dhe një ftesë apo prenotim hoteli për 15 ditët e para të qëndrimit.
Aplikimi
Ditën e hënë të kësaj jave, Ambasada Italiane në Tiranë njoftoi zyrtarisht hapjen e procedurave të aplikimit për studentët shqiptarë që duan t’i vijojnë studimet e larta në universitetet italiane. Të rinjtë shqiptarë do të kenë mundësi që deri në datën 6 qershor të tërheqin dokumentet e nevojshme për të paraqitur kërkesën e regjistrimit paraprak për në universitetet italiane. Sipas njoftimit të posaçëm, të publikuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, “Për procedurat për regjistrimin në universitetet italiane nga ana e studentëve të huaj, për vitin akademik 2010-2011”, studentët që synojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane mund të tërheqin, duke filluar nga data 24 maj, pranë sportelit të Ambasadës, një dosje të veçantë për pararegjistrimin, që përmban formularët e nevojshëm dhe udhëzimet përkatëse, si dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave. Këto të fundit, pas plotësimit duhet të dorëzohen nga data 7 qershor deri më 21 qershor, pranë Pallatit të Kulturës, sheshi “Skënderbej”, nga ora 14:00 deri në orën 17:00.

Dokumentet për të kryer regjistrimin paraprak
Për të kryer pararegjistrimin në universitetet italiane është e nevojshme të dorëzohet dokumentacioni i mëposhtëm: kërkesa e regjistrimit, e plotësuar në çdo pjesë, së bashku me dy fotokopje të thjeshta pas plotësimit të formularit në të dyja pjesët e tij, përpara dhe prapa. Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të tregohet qartësisht vetëm një degë universitare. Dega e zgjedhur e studimeve nuk mund të ndryshohet më. Për të zgjedhur degën, këshillohet të konsultoni listën në adresën e internetit: http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri; formulari i autentikimit të fotografisë, i plotësuar me të dhënat tuaja anagrafike e më pas duke i bërë edhe dy fotokopje të thjeshta pas plotësimit të tij; titulli përfundimtar i shkollës së mesme në origjinal (Dëftesë Pjekurie). Kandidatët që kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues që të përmbajë notat e të gjitha viteve. Maturantët e regjistruar në vitin e fundit dhe që do ta marrin Dëftesën e Pjekurisë në verën e vitit 2010, duhet të paraqesin një vërtetim notash, që tregon frekuentimin dhe notat e tre viteve të para, si dhe të semestrit të parë të vitit të katërt, me detyrimin për ta dorëzuar dëftesën në origjinal pranë Ambasadës, sapo ta marrin atë; kopje e formularit A1, të regjistrimit në dy provimet fakultative dhe e dëftesës përkatëse të pagesës; fotokopje e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane, lëshuar nga Universiteti i Peruxhias (CELI 3); dy fotokopje të titullit të studimit dhe të përkthimit përkatës, të të gjitha faqeve, përfshirë ato ku janë vendosur vulat e drejtorisë arsimore, të Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Jashtme; fotokopje e pasaportës; 2 fotografi me ngjyra.

Fituesit do të shpallen brenda datës 10 gusht 2010
Emrat e maturantëve shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për t’u regjistruar në universitetet italiane do të shpallen brenda datës 10 gusht 2010. Sipas afatit të vendosur nga Ministria e Universiteteve Italiane, brenda datës 10 gusht do të dalin listat e kandidatëve të pranuar për t’u regjistruar në universitetet italiane, datat e regjistrimit, informacion në lidhje me procedurat, kriteret dhe përmbajtja e provimeve të pranimit etj. Sikurse gjatë vitit të kaluar, edhe këtë vit, maturantët shqiptarë, të përzgjedhur nga Ambasada Italiane, për të nisur pararegjistrimin në universitetet italiane dhe që kanë kaluar me sukses dy provimet me zgjedhje të Maturës do të nisen drejt Italisë në ditët e fundit të muajit gusht.
Vizat e studimit për të gjithë studentët shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të lëshohen duke nisur që nga data 24 gusht. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011. Por, me gjithë mbërritjen në shtetin fqinj, ata duhet të kalojnë disa kohë në pritje para nisjes së studimeve në këtë vend, derisa universitetet italiane të shprehen zyrtarisht se cili prej tyre do të pranohet. Kështu, pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Përcaktimi i fituesve në Itali do të bëhet para nisjes së vitit të ri akademik 2010-2011. Ndërkohë që të gjithë ata të rinj shqiptarë që nuk do të renditen te listat e fituesve në universitetet italiane nuk duhet të dëshpërohen, pasi për ta do të ketë një shans të dytë për të studiuar në Itali, megjithëse jo në degën e preferuar. Brenda datës 12 dhjetor të vitit 2010 universitetet italiane do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira në fakultetet e tyre. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla me të cilat aplikojnë edhe italianët.

Mbyllet fushata “Rini pa duhan dhe alkool”

Rreth 700 mijë meshkuj në vendin tonë pinë duhan, ndërsa numri i femrave që tymosin cigare ka arritur në 200 mijë. Këto janë shifrat më të fundit që raportohen nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Në prag të 31 majit, Ditës Botërore të Luftës Kundër Duhanit, kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, së bashku me specialistët e ISHP-së, drejtues të arsimit, kanë shpërndarë mesazhe sensibiluzese, për një rini pa duhan dhe alkool. Mesazhet janë përcjellë në një aktivitet festiv të organizuar dje në Pallatin e Kongreseve me pjesëmarrjen e nxënësve të sistemit parauniversitar nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Statistikat për numrin e duhanpirësve në botë janë edhe më shqetësuese. Rreth 1 miliardë meshkuj tymosin cigare rregullisht dhe 250 milionë femra në botë janë duhanpirëse.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›