E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fenomen që duhet patur në konsideratë nga Kontrolli i Shtetit

Përshëndetje Shekulli. Jam i papunë, por nuk po ju shkruaj thjesht për veten time. Më habit fakti i një “modeli” qeverisjeje lokale këtu në qytetin tim, Kukës. Dhe për këtë, i drejtohem, ndoshta dhe në formë pyetje, zotit Berisha, nëse kjo, është një lloj korrupsioni apo jo.

Po ti marrësh të gjitha institucionet në Kukës me radhë një e nga një, të bie në sy një fakt, që të gjithë drejtuesit pa përjashtim, kanë të punësuar pranë institucionit të tyre anëtarët e familjes. Është bërë standart që një drejtues punëson, gruan ose burrin, djalin ose vajzën e me rradhë.

Si ta kuptojmë këtë fakt? Mos vallë institucionet e shtetit janë prona private të këtyre drejtuesve? Unë mendoj që në një mënyrë ose në një tjetër, institucionet shtetërore, janë të tilla siç e kanë edhe emrin. Të gjithë aty, duhet të kenë të drejtën e punësimit dhe të drejtimit.

Por, ka dhe nga ato raste kur borderotë janë të mbushura me emra personash, të cilët pa shkuar fare në punë, në fund të muajit paga u kalon nëpër bankomatet përkatëse. Ka edhe nga ato që banojnë në Tiranë, por që për t’u bërë një nder, ndoshta të vogël, nuk ua shkëpusin pagën, sepse me thënë të drejtën Tirana është e kushutueshme dhe patjetër duhen ndihmuar këta “shokë” dhe “miq”.

Kjo jo vetëm që është korrupsion, mendoj unë, por akoma më shumë, është një privatizim total i institucioneve të shtetit, ose më saktë është uzurpim. Ky fenomen duhet patur në konsideratë edhe nga qeveria apo kontrollet e shtetit, pasi nuk e kanëaspak të vështirë ti verifikojnë, por mesa duket edhe këtyre të fundit u jepet ajo “kafshata që të mbetet në fyt”.Besoj se dikush i veshur me pushtet të plotfuqishëm duhet ti mbrojë këta “pronarë” të shtetit, sepse siç thotë një fjalë e urtë popullore “Frika i ruan vreshtët” dhe kur kjo nuk ekziston, atëhere del qartë se këtu hanë dhe shumë të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›