Fenomeni i martesave të hershme, studentët e Korçës paraqesin gjetjet e një studimi në terren

Në ambientet e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” në Korçë, u zhvillua veprimtaria social-kërkimore dhe ndërgjegjësuese me temë “Thyejmë zinxhirët, ndërtojmë të ardhmen!”, organizuar nga skuadra studentore e Universitetit të Korçës në kuadër të projektit ndërkombëtar PILLAR.
Në fokus të këtij aktiviteti ishte paraqitja e gjetjeve dhe analizave nga një kërkim disa mujor mbi fenomenin e martesave të hershme në Qarkun e Korçës, me qëllim ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e të rinjve për të ndërtuar një të ardhme ku ata vetë zgjedhin fatin e tyre.
“Qëllimi i këtij projekti është që të ndërgjegjësohen që detyra e brezit të rinj është që të edukohet dhe jo të krijojnë lidhje të hershme të cilat të çojnë në martesa të nxituara të cilat çojnë në probleme të tjera”, tha Juliana Çyfeku, Koordinatore e projektit.
Puna në terren përfshiu anketime, intervista dhe vëzhgime në komunitete të ndryshme të qarkut.
“Ky si fenomen është në rritje. Ne duam të ndërgjegjësojmë sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Nuk jemi kundër martesave sigurisht, por jemi kundër shkeljes së të ardhmes së një vajze apo të një djali”, tha Ina Bala, studente.
Një tjetër dimension i veçantë i veprimtarisë ishte ekspozita e pikturave, të realizuara nga nxënës dhe studentë mbi temën e martesave të hershme dhe të drejtës për të zgjedhur.
“Ne dëshironin që të sillnim edhe copëza arti pasi nëpërmjet artit, pikturës apo dhe muzikës mund të pasqyrojmë sa më mirë mesazhin tonë”, tha studentja Erika Lubonja.
Në këtë aktivitet janë paraqitur gjetjet, analizat dhe përfundimet në përmbyllje të këtij kërkimi të realizuar në Qarkun e Korçës, me anë të të cilave do të përfaqësohet Universiteti i Korçës në konkursin që do të zhvillohet në Universitetin Amerikan në Sofje, Bullgari në muajin qershor.
Gazetare Eftjola Fili
/rtsh.al/