E Diel, 1 Nëntor 2026

Fenomeni i ri, burrat kërkojë divorcin por edhe heqjen e atësisë së fëmijës

Në laboratorët e gjenetikës kryhen mbi 200 teste të ADN-së në një vit

testet e adnNjë fenomen i ri po prek familjet shqiptare duke u bërë shkak për konflikte që degjenerojnë jo vetëm në divorce por edhe në krime makabre. Sociologët thonë se kohët e fundit janë rritur shumë rastet kur baballarët kërkojnë që bashkë me divorcin ndaj bashkëshortes, tu hiqet edhe atësia fëmijëve që deri më dje mbanin mbiemrin e tyre.
Fenomeni
Ky fenomen po haset shpesh në dyert e gjykatës dhe në laboratorin e gjenetikës, ku burrat pasi kthehen nga emigrimi në konflikt me bashkëshortet e tyre, që nuk i kanë takuar prej vitesh, nisin të dyshojnë edhe te atësia e fëmijës që kanë lindur. E vërtetë apo jo tradhtia që ngacmon mendjet e tyre gjen përgjigje në gjykatë apo në testin e ADN-së. Histori të tilla edhe pse tashmë kanë dalë në dritë janë prezente në shoqërinë shqiptare, qysh në dy dekadat e fundit, kur emigrimi u bë një fenomen masiv, që u shoqërua me mjaft probleme sociale. Qindra çifte jetojnë në largësi prej vitesh, duke u takuar 1 herë në vit apo edhe në 5 apo 10 vjet. Burri në emigrim dhe gruaja në shtëpi, ishte kjo kuptimi që merrte martesa në Shqipëri, dhe ku në zonat rurale një marrëdhënie e tillë vijon të mbizotërojë ende.
Dyshimet
Fëmijët që lindin nga martesa të tilla, ndonëse të pafajshëm bëhen shkak për ndarjen e prindërve. Pas 5 apo 10 vitesh në emigrim, baballarët kthehen në shtëpi, ku për shkak të largësisë janë bërë të huaj me gratë. Lindin konfliktet dhe sherret që përfundojnë edhe me akuza për tradhti, me dyshime se fëmijët nuk janë të tyret, duke arritur deri në divorce apo heqjen e atësisë, shpjegojnë sociologët, ndërsa e vënë theksin tek largësia dhe jeta e ndarë që bëjnë këto çifte që krahas shkatërrimit të familjes po sjellin edhe plagë të tjera sociale.
Gjykata
Në Gjykatën e Tiranës është shfaqur fenomeni i heqjes së atësisë, dhe nuk është në rritje thjesht numri i divorceve, por po rriten rastet kur babai kërkon ti hiqet atësia fëmijëve që ka pasur nga martesa me ish-bashkëshorten. Divorci është një fenomen që tashmë ka fituar qytetarinë në Shqipëri, por kërkesa për të hequr atësinë është një fenomen i ri me të cilin po ndeshet shoqëria jonë. Sociologët e cilësojnë fenomen tipik ballkanik ku mashkulli është i lirë të mëkatojë, ndërsa femra duhet të mbyllet në shtëpi dhe të pres për vite të tëra deri sa burri të kthehet nga emigrimi!
Testi i ADN-së
Janë një grup tjetër çiftesh të cilët para se të shkojnë drejt divorcit drejtohen në klinika dhe laboratorë ku bëhet testi i ADN-së së fëmijës. Me dilemën nëse po rrisin fëmijët e një tjetri, rreth 200 shqiptarë i nënshtrohen në një vit analizave të ADN-së (testi i atësisë). Kërkesat për testin e njohjes se atësisë janë gjithmonë në rritje vitet e fundit, deri në një dyfishim të tyre. Sipas të dhënave nga laboratori i gjenetikes molekulare pohohet se në bashkëpunim me laboratorin e kriminalistikës janë bërë rreth 50 teste. Pjesa tjetër duke iu druajtur të njohurve zgjedhin të fshihen në klinika private. Por kohët e fundit janë shtuar edhe kërkesat që vijnë nga femrat të cilat i drejtohen gjykatës për njohjen e atësisë. Ndryshe nga vendet e tjera ku bashkëshortët janë të gatshëm të rrisin edhe fëmijë të adoptuar, në Shqipëri po ndodh e kundërta: prindërit dyshojnë tek vetë fëmijët e tyre.

Dhuna në familje, në 6
muaj 600 urdhra mbrojte
Dhuna në familje po merr përmasa dramatike nga viti në vit dhe kjo duket edhe nga kërkesat për urdhra mbrojtje që i drejtohen çdo ditë gjykatave. Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti në gjykatën e kryeqytetit janë depozituar rreth 600 kërkesa, aq sa u shënuan për gjithë vitin e kaluar. Në këto kërkesa dominojnë gratë qe kërkojnë mbrojtje nga bashkëshortët. Por, megjithëse gjykata u ka dhënë mbrojtje ligjore për shumë prej të dhunuarave, fenomeni vazhdon të mbizotërojë madje me forma të ashpra duke shkaktuar edhe viktima. Ky ishte edhe një reagim i bërë ditët e fundit nga komisionerja kundër diskriminimit Irma Baraku e cila kërkoi nga organet përgjegjëse trajtimin me korrektësi të çështjeve të dhunës në familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›