Ferdinand Xhaferri siguron vendin në listë
Dje, gjithë ditën kemi pasur reagime nga lexues të gazetës për Ferdinand Xhaferrin. Në fillim nuk e merrnim vesh pse ishin, por më vonë na e sqaruan. Na paska sharë gazetën TemA në TV Klan, tek emisioni i Fevziut. Njëri thoshte e ka sharë, tjetri thoshte ka mbledhur buzët, tjetri thoshte është përpjekur të trashë zërin. Sidoqoftë dukej se diçka ishte e vërtetë, që Ferdinandi na paskësh sharë gazetën.
- S’u bë qameti, tha drejtori, atë punë ka bërë që më ‘99. Me gazetën TemA e ka pasur. Dikur e shante pse TemA ishte kundër vjedhjes së siglës së PD nga Xhaferi dhe Pollo, tani e shan se TemA është kundër plaçkitjeve familjare të shtetit nga qeveria Berisha.
Por s’e lamë me kaq. Vendosëm të na e sqarojë miku ynë Flamuri, se mos kjo është një direktivë. Flamuri u tregua i gatshëm.
- Prit, prit, tha, se do të shikoni dhe më. E kemi gjetur bukur tani. Të gjithë këta by...rët që e dredhin, i kemi vënë të mbrojnë atë burrin. Se po rrinin fshehur dhe fërkonin duart. Po vjen koha për tu futur në lista dhe këta donin ta hanin qyl. I thashë atij burrit, kjo është e patolerueshme. Prapë do futen në lista këta pa asnjë kontribut?!
- Po çfarë të bëjmë Flamur, më tha. Urtë po rrinë.
- Nuk është puna se rrinë urtë, i thashë, duhet të veprojnë, duhet t’i përdorim.
- Po mirë, tha, bëj si të duash, ti i di këto punë. Kaq desha unë, sa më dha leje. E thirra Fredin. Bëra muhabet burrash me të.
- Do të bëhesh kryetar i PD-së në Durrës, i thashë.
- Po dua, tha.
- Epo, si do bëhesh kryetar pa asnjë kontribut. Duhet të dalësh në televizor, në debate, të mbrosh atë burrin. Nuk e ke parë ç’po i bëjnë. Çfarë s’po i thonë, dhe s’po e mbron njeri.
- Dal unë e mbroj, tha.
- Shumë mirë, i thashë. Duhet ta nisësh me këta të Temës. Duhet tu sulesh atyre. Se ata e kanë tepruar me Gërdecin. Duan të thonë sikur djali ka qenë brenda në atë histori. Bëji një herë mut ata, pastaj flasim. Dhe e mbajti fjalën. Doli në Kuvend dhe e tha. Po s’ia mbajti ta përmendte Temën, se është ca frikacak. E thirra prapë. I thashë, nuk quhet. Duhet ta përmendësh me emër.
- Po s’mu dha rasti, tha.
- Flas unë me Fevziun, i thashë, dhe ta ngre ai topin në emision. Se dhe ai burri kur e shau herën e parë tek emisioni i tij, ashtu bëmë. Folëm me dikë, i ngriti topin atij burrit, pastaj e di vetë ai. Dhe dje kështu u bë. Dhe e tha. Iu drodh pak zëri, po e tha. Se e ka dhe zërin e hollë, por po i trashet pak nga pak.
- Po pse, mendon se po shau Temën fiton në Durrës, se TemA në Durrës ka tirazhin më të madh?
- S’ka problem. Fiton pikë në Tiranë, tek ai burri. Po fitoi tek ai, fiton dhe në Durrës. Se zgjedhjet në parti ai i komandon. Pastaj duhet të japë ca prova të tjera dhe ta fusim në listë për deputet. Ndryshe është Gaz Oketa i pari. I kam thënë. Duam, s’duam, vjen pas Oketës në Durrës. Atë kemi të parin.
- Po kam hall, mos nuk më fusni në listë, tha.
- Mos u mërzit, thashë. Ai burri ka mendim të mirë për ty, por duhet të jesh më aktiv. Me këto që bëri dje dhe pardje ka ecur shumë përpara. Mund të jetë dhe i pari i listës. Sidomos kur mbrojti djalin dhe familjen e atij burrit, mu mbushën sytë me lot. Atë moment e pashë sa rëndësi ka puna kokë më kokë. Po prisni se do t’i bëjnë dhe të tjera atij të Temës. Kam bërë gati shumë nga këta që e dredhin, t’i vë në provë. Prova është të shajnë Temën. Po e shanë Temën, do futen në listë. Po nuk e shanë, të ikin në të s’ëmës. Le që ç’ ti bëj atij burrit se për mua s’i kisha qasë fare as në listë. Po i ka qejf këta që i binden kështu. Ky Fredi për shembull e ka gëzuar shumë.