Tirana vesh ngjyrat e festës, në të njëjtën ditë me metropolet e mëdha evropiane
Mbyllet epoka e zymtësisë së kryeqytetit shqiptar gjatë festave të fundvitit. Dje, më 5 dhjetor, Kryebashkiaku Lulzim Basha ndezi dritat e Pemës së Krishtlindjeve, duke e rreshtuar Tiranën me listën e atyre qyteteve që u ofrojnë bashkëqytetarëve një atmosferë festive, që në fillim të dhjetorit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i shoqëruar nga vajza e tij Dafina dhe dhjetëra fëmijë të kryeqytetit kanë ndezur mbrëmë dritat e pemës së madhe prej 14 metrash, e vendosur në Sheshin “Skënderbej”, duke i hapur rrugë festimeve për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Nën tingujt e muzikës festive të korit të Liceut Artistik, është ndezur i gjithë dekori i vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” duke sjellë edhe në Tiranë atmosferën festive të festave të fund vitit.
Kryebashkiaku Basha garantoi se kjo atmosferë do të shtrihet në të gjithë qytetin. Basha tha se krahas dekorit festiv janë parashikuar edhe një sërë aktivitetesh për të gjitha grup moshat që do të shoqërojnë ditët deri në natën e madhe të ndërrimit të viteve. Përveç aktiviteteve, Basha tha se nuk do të mungojnë edhe dhuratat, veçanërisht për vogëlushët në mënyrë që festat të jenë sa më të gëzuara për ta.
“Sot ne ndezim bredhin festive të fund vitit dhe dritat në rrugët kryesore të qytetit tonë sepse po vjen Viti i Ri. Festat e fund vitit na bashkojnë ne të gjithëve çdo vit. Edhe këtë vit, ne në qytetin e Tiranës do të zhvillojmë shumë aktivitete që çdo fëmijë ta ndiejë sado pak përpjekjen modeste të Bashkisë së Tiranës, qytetit të Tiranës, qytetarëve të Tiranës, për të pasur festa sa më të lumtura. Ne kemi një program festiv të cilin e nisim sot, me ndezjen e dritave të të gjithë dekoreve në sheshin kryesor e në bulevard dhe në shumë rrugë të tjera. Do të kemi koncerte të vogla e të mëdha, do të kemi shumë babagjyshër të Vitit të Ri, të cilët do të shpërndajnë dhurata anë e mbanë kopshteve e çerdheve dhe shkollave të qytetit tonë për të gjithë fëmijët. Për të gjithë të rriturit kemi organizuar aktivitete të tjera artistike social kulturore që fryma e festave të fund vitit të ndihet anë e mbanë qytetit tonë. Do të fillojmë sot por do ta vazhdojmë gjatë gjithë muajit. Do t’u urojmë të gjithë vogëlushëve të Tiranës, qytetarëve të Tiranës dhe gjithë qytetarëve anë e mbanë Shqipërisë, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri”, u shpreh Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës së bashku me bashkëshorten Aurela dhe vajzën Dafina, kanë parë më pas edhe dekorin festiv përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërsa këtë vit pema karakteristike me dritat shumëngjyrëshe është ndriçuar më herët, në rrugët e Tiranës ka nisur atmosfera festive.
Pjesë dekorit të zbukurimeve të bashkisë janë edhe dritat përgjatë bulevardit “Dëshmorët e kombit”, ndërsa vetë kryebashkiaku Lulzim Basha, premtoi se dekori do të pasurohet edhe më tepër në ditët në vijim.
Pjesë e përgatitjeve për festat janë edhe një sërë koncertesh si dhe aktivitetesh të ndryshme.