E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet buxheti i 2012, rrëzohet skema e Ramës për evazion e monopole

06-12-2011 / Gazeta 55

Parlamenti ka miratuar me shumicë votash Ligjin për Buxhetin e 2012-s, i cili garanton një rritje të re pagash e pensionesh, si dhe rritjen ekonomike në masën 4,3 përqind. Rrëzohen një numër propozimesh demagogjike të PS, të cilat tentonin rikthimin e skemës së evazionit fiskal dhe të shndërrimit të vendit në një republikë importesh

Kuvendi miratoi dje nen për nen me 71 vota “pro” dhe 50 vota kundër, buxhetin e shtetit për vitin 2012. Deputetët e mazhorancës e mbrojtën këtë projekt si buxheti që do të mbështesë stabilitetin makroekonomik, por edhe si projektin që do të zbusë efektet e krizës financiare globale, përmes mbështetjes së sektorëve socialë, investimeve publike dhe rritjes së pagave dhe pensioneve. Por, deputetët e opozitës me votën e tyre kundër theksuan se buxheti 2012-të nuk merr asnjë masë për krizën ekonomike globale, në kushtet kur e gjithë bota është mobilizuar me masa shtesë.
Totali i të ardhurave parashikohet me një rritje prej 8 për qind, ose 356 miliardë lekë, me një rendiment fiskal prej 25.5 për qind të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliard lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 për qind. Shpenzimet kapitale për vitin 2012 parashikohen në masën 69.7 miliardë lekë ose 5 për qind të PBB. Në prioritetet e listës së investimeve vazhdojnë të përzgjidhen ato projekte të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, si edhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, në përputhje edhe me programin e qeverisë.
Njëkohësisht, shpenzimet kapitale, si me financim të brendshëm, ashtu edhe të huaj, do të vazhdojnë të përqendrohen në sektorët prioritare të qeverisë, si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia e zhvillimi rural. Me konkretisht, investimet me burime të brendshme parashikohet të jenë 1.97 për qind të PBB. Ndërsa, investimet me burime të huaja parashikohen në nivelin e 3për qind të PBB, nga 2.5 për qind e PBB që kanë qenë në buxhetin e rishikuar 2011. Bazuar në shpërndarjen e shpenzimeve publike midis ministrive, vlerësohet se në vitin 2012 niveli i shpenzimeve publike do të shënojë rritje për të gjithë sektorët prioritare. Kështu, sektori i arsimit do të arrijë nivelin 3.2 për qind të PBB, ndërkohë që shpenzimet në sektorin e shëndetësisë parashikohen të arrijnë në 2.6 për qind të PBB. Gjithashtu, shpenzimet për sektorin e bujqësisë parashikohen të rriten në nivelin 0.5 për qind të PBB, ndërkohë që 3.05 për qind e PBB parashikohet niveli i sektorit të infrastrukturës. Në buxhetin e shtetit për vitin 2012, i cili dje mori formën përfundimtare të miratimit në Kuvend, për sigurimet shoqërore të detyrueshme do të shpenzohen 4.732 milionë lekë më shumë se viti aktual, ndërsa shpenzimet për sigurimet shoqërore suplementare nuk do të pësojnë ndryshim.
Referuar shifrave të publikuara nga Ministria e Financës, në vitin 2012 arrin në 84 360 milionë lekë vlera financiare për sigurimet shoqërore të detyrueshme, nga 79 628 milionë lekë në 2011-ën. Në 2012-ën, sipas buxhetit të ri, për sigurimet shoqërore suplementare do shpenzohen 5 405 milionë lekë, nga 5 472 milionë lekë në 2011. Paga minimale, sipas buxhetit 2012, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të ndryshojë sa herë që rriten pagat dhe pensionet. Këshilli i Ministrave do të ketë të drejtën të përcaktojë një kontribut të veçantë minimal për personat e vetëpunësuar në bujqësi dhe kategori specifike të personave të vetëpunësuar. Sipas buxhetit 2012, teprica e të ardhurave sipas degëve të sigurimit shoqëror do të përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve. Në buxhetin e vitit të ardhshëm, për sigurimet shoqërore të detyrueshme për 2012-ën, do të shpenzohen 84 360 milion lekë, nga të cilat 51 287 milionë lekë do të mundësohen nga kontributet, ndërsa pjesa e mbetur, 33 073 milionë lekë do të transferohen nga buxheti i Shtetit. Në fondin për sigurimet suplementare, Ministria e Financave ka caktuar 5 405 milion lekë, ku 290 milionë lekë do të mbulohen nga kontributet dhe 5.115 milion lekë nga buxheti i Shtetit. Rritja e shpenzimeve për sigurimet shoqërore lidhet me objektivin që ka shpallur Qeveria për rritjen më tej të pagave dhe pensioneve.

Buxheti 2012, 2.3 miliardë lekë për Ministrinë e Ekonomisë
Rritja e punësimit mes mbështetjeve për bizneset e vogla dhe të mesme përbën objektivin kryesor për ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, (METE), pasi për vitin 2012 parashikon të hapë 15.500 biznese të reja. Sipas buxhetit 2012, totali i shpenzimeve për ministrinë parashikohet të zërë 0.17 për qind të PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto), me vlerë 2.3 miliardë lekë, ose 0.17 për qind e PBB-së. Këto fonde do të shërbejnë për arritjen e objektivave të METE-s për vitin 2012, kryesisht për zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit përmes përmirësimit të klimës së biznesit, me qëllim hapjen e 15.500 bizneseve te reja dhe dhënies së 3.500 licencave.
Gjithashtu, gjatë vitit 2012 METE parashikon të japë 7 koncesione të reja dhe 3 studime potenciale për investime në Shqipëri, me objektiv, rritjen e fluksit te Investimeve te Huaja Direkte (IHD). METE parashikon në buxhetin 2012 dhënien e granteve për 17 kompani në fushën e Inovacionit, me synim, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregun rajonal. Fonde të konsiderueshme do të përdoren për rritjen e mbikëqyrjes së tregut të produkteve të tjera jo ushqimore në krahasim me vitin 2011, rritjen e shkallës së kontrollit të pajisjeve nën presion në vendin e punës, sigurisë së instalimeve elektrike ndaj subjekteve në tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve te tyre, etj. Zhvillimi i kapaciteteve institucionale në METE për menaxhimin, koordinimin dhe zbatimin efikas te politikes rajonale të Shqipërisë dhe zbatimin e politikës rajonale të BE-së, përbën një nga objektivat e tjera kryesore të ministrisë për të cilin ka parashikuar fonde të veçanta

Buxheti 2012, 20 miliardë lekë për reformat në Ushtri
Fondet që qeveria ka akorduar për Ministrinë e Mbrojtjes në buxhetin e ri 2012, i miratuar sot në Kuvend, synojnë të mbështesin vijimësinë e zhvillimit të reformave në këtë fushë dhe ndërtimin e një force ushtarake në përputhje me strategjinë e Sigurisë Kombëtare.
Buxheti i mbrojtjes për vitin e ardhshëm kap shifrën e 20 miliardë, 259 milionë e 446 mijë lekë ose 457 milionë lekë më shumë se sa buxheti paraardhës. Shuma e akorduar nga qeveria për 2012 do të përdoret në procesin e modernizimit të mëtejshëm të Forcave të Armatosura, si në blerjen e helikopterëve shumëpolësh, misionet paqeruajtëse, demontimin e municioneve, etj.

Buxheti 2012, 2.16 miliardë lekë për Politikën e Jashtme
Mbajtja dhe zgjerimi i përfaqësimit diplomatik dhe konsullor në vendet e tjera, me organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale si dhe përmirësimi i strukturës së përfaqësive diplomatike dhe konsullore në funksion të përmbushjes së detyrave të përcaktuara për to është një prej objektivave kryesorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme për vitin e ardhshëm, për të cilën projektbuxheti i qeverisë për vitin 2012, parashikon 2.16 miliardë lekë ose 0.16 për qind e PBB.
Në krahasim me buxhetin e rishikuar 2011, ka një rritje në masën prej 17 milionë lekë. Gjithashtu objektiva të MPJ-së do të jenë edhe sigurimi i komunikimit të shpejtë dhe të sigurt ndërmjet përfaqësive diplomatike dhe konsullore me MPJ si dhe prezantimi tyre on-line nëpërmjet shfrytëzimit të mjeteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit bashkëkohore.
Sigurimi i ambienteve dhe lehtësirave teknike për përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të reja si dhe përmirësimi i atyre ekzistuese. Ndërkohë një tjetër objektiv i MPJ-së që parashikohet në buxhet është promovimi i interesave ekonomike, tregtare, kulturore dhe turistike të vendit, vlerave dhe traditave shqiptare si dhe i mundësive, burimeve dhe klimës së favorshme për investim e fitim në Shqipëri, kryesisht në investimet e brendshme, por duke mos përjashtuar dhe investimet jashtë vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me misionet diplomatike, diasporën, organizim dhe pjesëmarrje në veprimtari dhe aktiviteteve të ndryshme promovuese.

Buxheti 2012, 330 milionë lekë për Integrimin
Koordinimi me efektivitet për hartimin e 35 kapitujve të progres – raportit 2012, në përputhje me detyrimet e MSA-së dhe rekomandimet e raportit analitik 2011, është një prej objektivave kryesorë të Ministrisë së Integrimit Evropian, për të cilën projektbuxheti i qeverisë për vitin 2012 parashikon 330 milionë lekë.
Një tjetër objektiv i kësaj ministrie për vitin 2012 është zhvillimi i 8 takimeve BE-Shqipëri për monitorimin e zbatimit të detyrimeve të MSA-së.
Trajnimi i stafit të Drejtorisë së Tregut të Brendshëm dhe drejtorisë së Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme (20 punonjës) mbi çështjet e integrimit europian për vitin 2012 është një tjetër objektiv i MIE. Gjithashtu, përafrimi i 3000 faqeve të legjislacionit evropian me legjislacionin vendas për vitin 2012, rritja e efiçencës dhe koherencës së ndihmës financiare të BE-së në Shqipëri, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale, bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe zhvillimit ekonomik, social dhe rural, janë disa nga objektivat e kësaj ministrie për vitin 2012.
Trajnimi dhe përgatitja e 200 nëpunësve të administratës publike për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe përkthimi dhe përgatitja e versionit shqip të 20 për qind të legjislacionit evropian, si një ndër detyrimet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe përkthimi i legjislacionit shqiptar në një nga gjuhët e Bashkimit Evropian, janë disa nga objektivat e tjerë të kësaj ministrie për vitin 2012, të cilat do të financohen nga buxheti i qeverisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›