E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferma e pulave, në Gjykatën Supreme

Pavarësisht se investoi mbi 2 milionë euro, ferma e pulave e Abdurrahman Konjufcës rrezikon të mbyllet. Agjencia Kosovare e Privatizimit ia ka shkëputur njëanshëm kontratën e koncesionimit, me arsyetimin se nuk i ka përmbushur kushtet. E Konjufca thotë se këto janë dallavere të AKP-së për t’ia shitur ndërmarrjen dikujt tjetër. Çështja tashmë i ka shkuar edhe Gjykatës Supreme Nga Albulena Maloku më 24 qershor 2011 në ora 08:36

Abdurrahman Konjufca, para dhjetë vitesh, kishte shitur gjithçka që kishte vetëm e vetëm të bëjë një biznes të qëndrueshëm. Fitoi kontratën për koncesionimin e një ferme të pulave në Lipjan në vitin 2001 nga ish AKM’ja. Por, pavarësisht se investoi mbi 2 milionë euro, Agjencia Kosovare e Privatizimit ia shkëputi njëanshëm kontratën e koncesionimit.

Konjufca tregon për Express se ai është në hall të madh dhe nuk di as nga të drejtohet, përveç Gjykatës Supreme. Ky është hapi i tij që tash e dy javë e ka marrë.
“Ka dy javë që e kam paditur AKP’në në Gjykatën Supreme për padrejtësitë që po i bën me shkëputjen e kontratës”, thotë Konjufca. Thotë se investimet milionëshe po i shkojnë huq. Madje, për ta bërë këtë biznes siç duhet, Konjufca tregon se kishte shitur dy banesa, shtëpinë e tokën e babait, vetëm që kjo fermë të arrinte kulmin e suksesit me prodhim. Investimet e tij arrijnë në 2 milionë euro.

Për më tepër, atij i është dashur që gjithçka në këtë hapësirë ta rinovonte, pasi kur e kishte marrë në dorë gjithçka kishte qenë e shkatërruar. Por, nuk arriti që ta shfrytëzonte tërë hapësirën e koncesionuar. Problemi ishte te KFOR’i irlandez, i cili deri vitin e kaluar ia kishte zënë pothuajse më shumë se gjysmën e hapësirës së fermës.
Ai tregon se vetëm tani, kur forcat ushtarake janë larguar nga kjo hapësirë, është zgjuar interesimi i agjencisë për këtë fermë. “Tani ata ndoshta kanë ndonjë interes për ta shitur ose ku ta di unë dhe ma bëjnë mua këtë padrejtësi”, shprehet ai.

Me AKM’në, ai thotë se kanë pasur biseda që qysh në vitin 2006 kjo fermë t’i shitej atij e t’i pranohen investimet dhe fuqia punëtore. Por, gjithçka kishte ndryshuar me formimin e AKP’së. Menaxhmenti i kësaj agjencie nuk kishte dashur të dëgjojë e as të takohet me të, as për dëmet e shkaktuara të forcave ushtarake që kishin qëndruar për tërë këto vite. “KFOR’i irlandez më ka shkatërruar, makineria e saj dhe vetë prezenca e saj në këto hapësira më ka sjellë dëme të mëdha, të cilat arrijnë në 7 milionë euro, e as që janë paguar deri më tani”, tha Konjufca për Express. Ushtrimet me helikopter të ushtarëve dhe stresi i madh ka sjellë ngordhjen e mijëra pulave dhe rënien e prodhimit.
Udhëheqësit e agjencisë ia kishin ndërprerë njëanshëm kontratën para një viti, e tani madje edhe ia kanë shkëputur pasi, sipas tyre, koncesionari nuk ka arritur të përmbushë kriteret e kontratës.

Por, Abdurrahman Konjfuca i hedh poshtë këto arsyetime. Sipas tij, ai kishte punësuar, kishte investuar tepër, përkundër asaj që nuk e kishte në dorë tërë hapësirën e kësaj ndërmarrjeje.“Unë nuk kam pasur mundësi të punësoj 112 njerëz, por i kam marr 68 e tani kam vetëm 20, krejt kjo për shkak të uzurpimit të hapësirës nga KFOR’i”, tha ai. Ai tregon se i është dashur t’i stimulojë punëtorët, madje duke i paguar 50 për qind më shumë se ajo që ishte e paraparë në kontratën e komercializimit.

(Shkrimin, të plotë, mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›