Pa kushtëzime në BE
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg, ka thënë në Prishtinë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në integrime evropiane.
Pas takimit që ka pasur me Presidenten Jahjaga dhe Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, Schëazenberg ka thënë që beson se në të ardhmen Kosova do të zërë vendin e saj në Bruksel.
“Ne mbështesim integrimin e Kosovës dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe këto shtete duhet të kenë prioritet në politikat e tyre anëtarësimin në BE, me meritat e tyre”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Çekisë.
Ndryshe, Kryediplomati çek ka folur edhe për kushtëzimet e mundshme për rrugën e Serbisë drejt BE’së, duke thënë se nuk mendon se duhet të vendosen kushte për palët.
“E rëndësishme që Serbia të sillet si fqinj miqësor dhe të ketë hapa praktikë mes dy shteteve”, ka porositur Schwarzenberg
Sipas tij, nëse Serbia do të anëtarësohet në BE, ajo pikë se pari duhet të zgjidhë problemet me fqinjët e saj në përputhje me kriteret e Kopenhagës, duke e përjashtuar mundësinë që Serbia më pas do të mund të pengojë vendet tjera që të bëhen anëtare të BE’së, për shkak të problemeve bilaterale.
Pas takimit, Ministri Enver Hoxhaj ka vlerësuar kontributin Ministrit Schwarzenberg për Kosovën, duke e cilësuar atë një mik të madh të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Hoxhaj e ka falënderuar shefin e diplomacisë çeke për njohjen e Kosovës nga ky shtet, për mbështetjen e fuqishme përmes pranisë ushtarake në kuadër të KFOR-it dhe për mbështetjen financiare të projekteve të ndryshme në Kosovë.
Ministri Hoxhaj ka bërë të ditur se gjatë takimit me homologun çek është diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë bilateral, i cili do të forcohet edhe më tej mes dy shteteve.
“Ky bashkëpunim mes institucioneve të shërbejë për forcimin e lidhjeve mes popujve tanë, bashkëpunimin mes shoqërive, qytetarëve, njerëzve të medieve, kulturës, universiteteve”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ministri kosovar ka falënderuar Ministrin Schwarzenberg edhe për investitorët, të cilët i ka sjellë me vete në këtë vizitë, të cilët pritet që në të ardhmen të investojnë në Republikën e Kosovës.
Hoxhaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Çekisë në proceset integruese të Kosovës, me theks të veçantë për procesin e liberalizmit të vizave, marrjen sa më të shpejtë të udhërrëfyesit për këtë proces si dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kurse Ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se vetëm përmes pranimit të realitetit në Kosovë do të ketë mundësi që politika në Serbi dhe qytetarët e saj të fokusohen në problemet e brendshme.
“Ka kaluar koha kur popujt dhe elitat politike synojnë ta gjejnë fatin jashtë kufijve të shteteve të tyre. Fati i popujve është brenda kufijve dhe territoreve të shteteve përkatëse”, ka shtuar Hoxhaj.
Ai ka kërkuar që Kosova si akti i fundit i shkapërderdhjes të Jugosllavisë të mos mbetet vonë në proceset integruese dhe Kosova të mos mbetet një vend i izoluar dhe populli i saj të mos mbetet një popull i harruar në rrugën e agjendës së integrimeve europiane.